Vendosni fjalën kyçe....

Kapet pas 5 orësh arratie autori i vrasjes në Gjorm, i dënuar më parë për Masakrën e Çoles



Pas pesë orësh kërkime intensive, policia ka arrestuar Bertil Alliajn, autorin e vrasjes së ndodhur në fshatin Gjorm të Selenicës, ku mbeti i vrarë kushëriri i tij, Dalan Alliaj.

Sipas burimeve zyrtare, 39-vjeçari u lokalizua dhe u kap në zonën malore të Gjormit, ku ishte fshehur pas krimit. Operacioni i policisë u zhvillua me forca të shumta dhe përfundoi me neutralizimin e autorit pa incidente.

Mësohet se Bertil Alliaj është një emër i njohur për drejtësinë. Ai ishte i dënuar në mungesë me 35 vjet burg për pjesëmarrje në Masakrën e Çoles në vitin 2015, ku mbetën të vrarë tre persona pas një konflikti në një kazino në Vlorë.

Në atë ngjarje, përveç Alliajt, si autorë u identifikuan edhe Aleksandër Llanaj dhe Ani Begaj — i pari u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa dy të tjerët me nga 35 vjet burg.

Viktima e sotme, Dalan Alliaj, rezulton pa precedent penal dhe ishte pronar i një biznesi në Levan të Fierit. Policia po vijon hetimet për të zbuluar motivet e vërteta të ngjarjes, që dyshohet të kenë lidhje me konflikte të vjetra mes familjarëve.