
Bashkimi Europian ka prezantuar një strategji të re, të quajtur “RESourceEU”, me synimin për t’i dhënë fund varësisë nga Kina për materialet e rralla që janë thelbësore për industrinë automobilistike, mbrojtjen, teknologjinë e gjelbër dhe sektorin dixhital.
Lajmin e bëri të ditur presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, gjatë një konference në Berlin, përcjell EuroNews.
Von der Leyen paralajmëroi se mbi 90% e konsumit europian të magnetëve me elementë të rrallë vjen nga importet nga Kina, duke e cilësuar këtë si një “rrezik strategjik për industrinë europiane”.
Nisma vjen pas vendimit të Kinës në tetor për të kufizuar eksportet e materialeve të rralla, një masë që shihet si reagim ndaj tarifave tregtare të vendosura nga SHBA-të. Sipas von der Leyen, ky zhvillim rrezikon të godasë rëndë zinxhirët e furnizimit në Europë.
“Qëllimi është të sigurojmë burime alternative të materialeve kritike në afat të shkurtër, të mesëm dhe të gjatë për industrinë europiane,”
deklaroi von der Leyen. “Ne do të përshpejtojmë partneritetet me vende si Ukraina, Australia, Kanadaja, Kazakistani, Uzbekistani, Kili dhe Groenlanda.”
E frymëzuar nga plani REPowerEU, që synonte të ulte varësinë energjetike nga Rusia, nisma e re do të përqendrohet në prodhimin, riciklimin dhe ruajtjen strategjike të materialeve të rralla brenda BE-së.
“Ajo fillon me një ekonomi qarkulluese – jo vetëm për arsye mjedisore, por për të shfrytëzuar materialet e rralla që ndodhen tashmë në produktet e shitura në Europë,”
shtoi von der Leyen, duke theksuar se BE-ja do të rrisë investimet dhe projektet strategjike për nxjerrjen dhe përpunimin e këtyre materialeve.
Ky hap vjen në një kohë kur Brukseli është gjithnjë e më i shqetësuar për dominimin e Kinës në tregun global të materialeve të rralla, që janë jetike për prodhimin e automjeteve elektrike, turbinave me erë, mikroçipave dhe sistemeve të mbrojtjes.
Në muajt në vijim, Komisioni Europian pritet të zgjerojë listën e vendeve partnere dhe të prezantojë mekanizma për blerje të përbashkët të mineraleve, me synim koordinimin dhe forcimin e sigurisë industriale të BE-së.