
Në Tiranë do të mbahet sot konferenca me temë “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Europës dhe Komisioni i Venecias”, një aktivitet i rëndësishëm që shënon tre dekada bashkëpunimi mes institucioneve shqiptare dhe këtyre dy organizatave europiane.
Në qendër të diskutimeve ishin reforma në drejtësi, reforma zgjedhore dhe drejtësia kushtetuese, si shtyllat kryesore të konsolidimit demokratik në vend.
Konferenca u hap me fjalën e kryeministrit Edi Rama, i cili vlerësoi rolin e Komisionit të Venecias në transformimin e sistemit të drejtësisë dhe procesin e vettingut, duke e cilësuar si një “udhërrëfyes të domosdoshëm për Shqipërinë”.
Ndërsa presidentja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, theksoi se opinionet e Komisionit të Venecias nuk duhet të interpretohen si instrumente për të kontestuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por si mbështetje për forcimin e shtetit të së drejtës.
Në tre panelet e konferencës morën pjesë figura kyçe të drejtësisë dhe institucioneve shqiptare, përfshirë ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, kreun e KQZ-së Ilirjan Celibashi, drejtorin e SPAK-ut Altin Dumani, si dhe presidentin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.
Paneli i parë u fokusua në ecurinë e reformës në drejtësi dhe sfidat e mëtejshme të procesit të vettingut; i dyti trajtoi reformën zgjedhore dhe nevojën për përmirësimin e standardeve demokratike; ndërsa paneli i tretë iu kushtua drejtësisë kushtetuese dhe harmonizimit të praktikave me standardet europiane.
Ngjarja u përshëndet edhe nga sekretarja e përgjithshme e Komisionit të Venecias, Simona Granata Menghini, e cila nënvizoi se Shqipëria është një shembull pozitiv i bashkëpunimit të qëndrueshëm me institucionet europiane në fushën e drejtësisë dhe demokracisë.