
Kompania OpenAI ka lançuar të martën “ChatGPT Atlas”, një shfletues interneti të fuqizuar nga inteligjenca artificiale, i ndërtuar rreth chatbot-it të njohur ChatGPT.
“Njihuni me shfletuesin tonë të ri – ChatGPT Atlas”, shkruhej në postimin zyrtar të kompanisë në platformën X.
Sipas OpenAI, Atlas synon të ofrojë një eksperiencë më të personalizuar të lundrimit në internet, duke përfshirë një sidebar të ChatGPT që lejon përdoruesit të bëjnë pyetje, të kërkojnë analiza apo të angazhohen me përmbajtjen e faqeve që vizitojnë. Shfletuesi është aktualisht i disponueshëm globalisht për sistemin macOS, ndërsa do të vijë së shpejti edhe për Windows, iOS dhe Android, përcjell Guardian.
Në faqen zyrtare të OpenAI thuhet se përdoruesit mund t’i kërkojnë ChatGPT-së brenda shfletuesit të përmbledhë përmbajtje, të krahasojë produkte ose të analizojë të dhëna nga çdo faqe interneti.
Një veçori tjetër e re është “Agent Mode”, një asistent virtual që po testohet fillimisht në llogaritë premium. Ai mund të kryejë detyra nga fillimi deri në fund, si p.sh. “hulumtimi dhe planifikimi i një udhëtimi”.
Atlas gjithashtu lejon ChatGPT-në të modifikojë tekstin e përzgjedhur në faqe. Një shembull i publikuar nga kompania tregon një email me sugjerimin: “Make this sound more professional” (“Bëje këtë të tingëllojë më profesionale”).
OpenAI thekson se përdoruesit kanë kontroll të plotë mbi privatësinë dhe të dhënat e tyre: ata mund të vendosin çfarë ChatGPT mban mend, si përdoren të dhënat, si dhe të fshijnë historikun e kërkimeve. Sipas kompanisë, përdoruesit janë automatikisht të përjashtuar nga përdorimi i të dhënave të tyre për trajnimin e modeleve të ChatGPT.
Megjithatë, nëse aktivizohet opsioni “Browser memories”, sistemi mund të “kujtojë fakte dhe njohuri nga lundrimi”, edhe pse nuk ruan kopje të sakta të faqeve të vizituara.
OpenAI nuk është e para që sjell një shfletues të tillë inteligjent: Google ka integruar pjesë të modelit të saj Gemini në Chrome, ndërsa Perplexity AI ka ofruar tashmë produkte të ngjashme.