
Publikohet audioja e debatit në sallën e gjyqit në Gjykatën e Elbasanit, ku avokati Ulian Bajrami i drejtohet me tone kërcënuese prokurorit Gjergj Ceka.
Ai u arrestua një ditë më parë me akuzën e “Kanosjes për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”, dhe “Kanosja e gjyqtarit”.
Përplasja u shënua dy ditë më parë gjatë seancës për konfirmimin e masave të sigurisë për 14 personat e arrestuar më 13 tetor në një lokal në Elbasan, disa prej të cilëve ishin të armatosur.
Mes të arrestuarve ishte dhe Maksim Suçi, klienti i avokatit Ulian Bajrami. Pas përfundimit të seancës, prokuroi bëri kallëzim në policinë e Elbasanit për kanosje, ndërsa avokati u shoqërua dhe më pas u vu në pranga.
Ka qenë avokati Arben Llangozi që ka publikuar audion në rrjete sociale, teksa dëgjohet avokati teksa shprehet se provat janë të rreme dhe në një moment thotë “do të merrem personalisht me prokurorin dhe me oficerët e Policisë Gjyqësore”, dhe se do të bëjë kallëzim pasi kontaton element të veprës penale.
Gjyqtarja Megi Strakosha ndërhyn menjëherë duke e ndërprerë dhe duke e kritikuar për gjuhën e përdorur dhe e paralajmëron se do ta përjashtojë nga salla e gjyqit dhe në vend të tij do të caktojë një avokat kryesisht.
Pjesë nga diskutimi:
Avokati Ulian Bajrami: Kërkesa e prokurorit për vlerësim për caktim mase bazohet në disa prova. Një ndër to tregon që ka pasqyrim të rreme të të dhënave, dhe do të merrem personalisht edhe me prokurorin edhe me gjithë oficerët e policisë gjyqësore. Do të bëj kallëzim.
Gjyqtarja Megi Strakosha: Avokat nuk funksionon me kërcënim në sallën e gjyqit. Nuk ka rëndësi se çfarë do të bëni ju jashtë kësaj salle.
Avokati Ulian Bajrami: Konstatoj vepër penale…
Gjyqtarja Megi Strakosha: Të thashë për herë të fundit. Do të marr masa nga ato që parashikon Kodi i Procedurës. Ky lloj komunikimi në këtë sallë gjyqi me mua si gjyqtare nuk të lejohet. Përqendrohu te mbrojtja e të pandehurit tënd ose do të caktohet një avokat kryesisht dhe do të të nxjerr përjashta. Paralajmërimi i fundit.
Avokati: Mesa pashë konstatoj pasqyrim të të dhënave të rreme.
Arben Llangozi, i cili publikoi audion shprehet kritik teksa thotë se avokati Bajrami po paguan çmimin e ndershmërisë në një sistem të kalbur. Ai thotë se ngjarja është po aq e rëndë sa vetë vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në Apelin e Tiranës, teksa thotë se njëri u vra fizikisht, ndërsa tjetri po “vritet” nga sistemi.
Dhoma Kombëtare e Avokatisë reagoi ashpër dhe e ka quajtur këtë ngjarje shumë të rëndë që cenon punën dhe lirinë e avokatit në sallën e gjyqit. Dhoma i bëri thirrje ILD, KLP dhe Prokurorisë së Përgjithshme që të veprojë urgjentisht për këtë ngjarje që e quan rast flagrant arbitrariteti dhe shkeljeje të hapur të ligjit.
Sipas Dhomës së Avokatisë, avokati Bajrami ka reaguar, pasi pa videon ku klienti i tij nuk shfaqej duke kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë, sikurse pretendonte prokurori Gjergji Ceka, dhe ne këto momente ka deklaruar se do të bëjë kallëzim ndaj këtij të fundit për falsifikim provash. Sikurse bën me dije Dhoma e Avokatisë, në ato momente prokurori e ka paralajmëruar se do të arrestojë, ndërsa avokati i është përgjigjur se do ta kallëzonte për falsifikim provash.
Reagimi i plotë i avokatit Arben Llangozi që publikoi audion:
Uljan Barjami, Avokati që po paguan çmimin e ndershmërisë në një sistem të kalbur
Arrestimi i avokatit Uljan Barjami është një nga ngjarjet më tronditëse që ka goditur drejtësinë shqiptare në vitet e fundit. Është po aq i rëndë sa vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, sepse në të dy rastet është goditur në zemër vetë drejtësia. Njëri u vra fizikisht, tjetri po “vritet” për së gjalli nga një sistem që nuk duron dot zërin e ndershëm dhe kritik ndaj manipulimit.
Ajo që po ndodh me Uljanin është pasqyra më e qartë e një realiteti të frikshëm, kur ligji përdoret si armë kundër atyre që e mbrojnë, atëherë shteti ka dështuar. Oficerë, prokurorë dhe gjyqtarë që bashkëpunojnë për të manipuluar prova, që krijojnë akuza të rreme dhe mbulojnë të vërtetën, janë shndërruar në një zinxhir të njëjtë korrupsioni. Ata nuk kërkojnë drejtësi, por pushtet. Nuk mbrojnë ligjin, por interesat e errëta që i komandojnë dhe veprimet e tyre kriminale.
Uljani nuk është një avokat i zakonshëm. Ai është një simbol i kurajos profesionale dhe njerëzore, një zë që flet aty ku të tjerët heshtin. Ai është hero i punës, i ndershmërisë dhe i përkushtimit ndaj ligjit, një shembull i gjallë i asaj çfarë duhet të jetë avokatia, mburojë për të pafuqishmit, jo armë e pushtetit.
Sot, ai ndodhet përballë një sistemi që përpiqet ta shkatërrojë vetëm pse nuk pranoi të bëhet pjesë e lojës së pistë. Por rasti i tij nuk është vetëm i tij, është kauza e gjithë shoqërisë që kërkon transparencë, llogaridhënie dhe drejtësi të vërtetë. Nëse heshtim sot për Uljanin, nesër do të jetë dikush tjetër në vendin e tij.
Prandaj është koha të reagojmë. Të mos pranojmë më drejtësi të manipuluar, prokurorë që bëjnë pazare dhe gjyqtarë që marrin urdhra. Uljani është prova se ende ka njerëz që besojnë tek ligji, tek e vërteta dhe tek ndershmëria dhe për këtë arsye është i rrezikshëm për ata që ndërtojnë karrierën mbi mashtrimin.
Uljan Barjami nuk duhet të lihet vetëm. Kauza e tij është kauza e dinjitetit njerëzor, e besimit tek drejtësia dhe e shpresës se Shqipëria mund të ketë ende njerëz që nuk shiten.