
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i kërkoi kryeparlamentarit Niko Peleshi të respektojë rregulloren e Kuvendit, duke e akuzuar se po hedh propozimet në votim pa dëgjuar mendimin e palës tjetër.
Bardhi tha se procedurat parlamentare po anashkalohen dhe akuzoi Taulant Ballën për ndikim të padrejtë në vendimmarrje.
“Është e disata herë duhet të kujtojmë rregulloren. Sa herë ka një propozim, pala tjetër duhet të japë mendimin. Ju sa herë merrni propozimin, ju e hidhni në votim, pa dëgjuar nëse ky propozim është në përputhje me rregulloren. E para nuk kemi nevojë që të lexojmë letra bakalli, që na vijnë nga Taulant Balla.
Kemi lexuar mjaftueshëm përgjime të SKY ECC dhe na mjaftojnë ato për të kuptuar cilësinë e letrave që dëshiron të na serviri Taulant Balla.
E dyta rregullorja të detyron një procedurë të caktuar, pasi flitet 10 minuta po dhe 10 minuta kundër, kalohet në votim për mocionin.
Ai mund të ngrihet dhe mund të thojë që s’ka debat, ose kalojmë në votim. Nesër mund të thojë që mund të mbyllim Parlamentin, por kjo nuk do të thotë që Kuvendi të kthehet në një listë dëshirash të Taulant Ballës.
Ua thash edhe dje në Konferencën e Kryetarëve, ose mbani rolin tuaj ose lëshoni karrigen”, tha Bardhi.