Vendosni fjalën kyçe....

Von der Leyen nga Sarajeva: Koha për të emëruar kryenegociatorin, Bosnja është në prag të BE-së



Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë një vizite zyrtare në Sarajevë më 14 tetor, theksoi se prioriteti kryesor është mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare me Bosnjë e Hercegovinën — një hap vendimtar drejt hapjes zyrtare të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, përcjell REL.

Ajo bëri thirrje që institucionet e vendit të emërojnë sa më parë kryenegociatorin, në mënyrë që të nisë menjëherë procesi teknik dhe politik i anëtarësimit.

“Zgjedhja e personit që do të mbajë këtë rol i takon institucioneve të Bosnjë e Hercegovinës, por më e rëndësishmja është që emërimi të bëhet sa më shpejt,” theksoi Von der Leyen në konferencën për shtyp me kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Krishto.

Vizita e presidentes së Komisionit Evropian vjen menjëherë pas vendimit të Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, më 30 shtator, për të miratuar Draftin e Agjendës së Reformave — dokument kyç për tërheqjen e rreth 900 milionë eurove në kredi të favorshme dhe grante nga Plani i Rritjes i BE-së.

Von der Leyen kujtoi se “para një viti e gjysmë, Këshilli Evropian mori një vendim historik për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Bosnjë e Hercegovinën”.

“Ju përgëzoj për Agjendën e Reformave. Tani është radha jonë ta vlerësojmë atë. Hapi tjetër është finalizimi për miratimin e fondeve,” deklaroi ajo.

Shefja e Komisionit Evropian theksoi se e ardhmja e të gjitha komuniteteve të Bosnjë e Hercegovinës është në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se zgjerimi nuk është vetëm proces politik, por edhe një çështje vullneti dhe ndjenje e përbashkët.

“Sipas një ankete të fundit, 72% e qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës kanë besim tek BE-ja. Brezat e rinj duan të jetojnë në një Evropë të bashkuar, dhe detyra jonë është t’ua bëjmë këtë të mundur,” tha Von der Leyen.

Kryetarja e Këshillit të Ministrave, Borjana Krishto, shprehu shpresën për përgjegjësi politike në procesin e afrimit me BE-në, duke bërë thirrje për bashkëpunim mes pozitës dhe opozitës.

“Në këtë proces nuk duhet të ketë ndarje politike, por përkushtim të përbashkët ndaj Bashkimit Evropian,” u shpreh Krishto.

Ajo gjithashtu informoi presidenten e Komisionit për përgatitjet e Procesit të Berlinit, që pritet të mbahet javën e ardhshme, duke theksuar se ende nuk është arritur një marrëveshje për lëvizshmërinë dhe qarkullimin me karta identiteti.

Gjatë vizitës në Bosnjë e Hercegovinë, Ursula von der Leyen u takua me anëtarët e Presidencës — Zhelko Komshiq, Zhelka Cvijanoviq dhe Denis Beqiroviq — dhe vizitoi Qendrën Përkujtimore Potoçari pranë Srebrenicës.

“Bashkimi Evropian do ta kujtojë gjithmonë gjenocidin e Srebrenicës dhe nuk do të lejojë që të shkruhet një histori e re për të,” deklaroi ajo.