
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas tensioneve të sotme në Kuvend, duke akuzuar kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, se po përdor qëllimisht strategjinë e bllokimit të punimeve parlamentare.
Në një deklaratë për mediat pas mbylljes së seancës, Balla tha se seanca u ndërpre për shkak të deputetëve të opozitës që, sipas tij, “zaptuan foltoren dhe penguan zhvillimin e rendit të ditës”.
“Sali Berisha nuk do që të flasë askush nga të tijtë. E merr fjalën shtatë herë për procedurë. Dy orë nuk hymë dot në rendin e ditës. Është një përpjekje e Sali Berishës për të mos lënë Kuvendin të hyjë në normalitet. Seanca u bllokua nga deputetët që zaptuan foltoren”, u shpreh Balla.
Prej disa javësh, seancat plenare janë shoqëruar me përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës, ku deputetët demokratë kanë përdorur bllokimin e foltores dhe pankarta proteste për të kundërshtuar vendimet e qeverisë dhe përjashtimet nga seancat.