
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka reaguar ashpër pas aksioneve të fundit të IKMT-së në zonën e Thethit, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për qëndrim armiqësor dhe selektiv ndaj Veriut të vendit.
Sipas Boçit, ndërhyrjet në Theth nuk kanë asnjë lidhje me mbrojtjen e natyrës apo zhvillimin turistik, por janë pjesë e një hakmarrjeje të qëllimshme politike dhe personale. “Rikthimi i terrorit të Ramës në Theth nuk është ‘për arsye turistike’, por për arsye armike. As ligjore, por vetëm pasurore. As arsye dashurie për natyrën, por arsye e pastër urrejtje për njerëzit”, shkruan Boçi në reagimin e tij.
Ai e krahason veprimin e qeverisë me strategjitë e grupeve terroriste, që sipas tij, e shfrytëzojnë frikën dhe transmetimin live të veprimeve për të përhapur terror. “Terrori e ka vlerën kur transmetohet live. Kjo është strategji e zakonshme e grupeve terroriste dhe shteteve terroriste”, shprehet Boçi.
Në korrik, Rama zhvilloi një vizitë në zonën e Thethit, e cila u pasua nga ndërhyrje me prishje objektesh që qeveria i konsideron të paligjshme. Por për Boçin, këto veprime nuk janë asgjë tjetër veçse përpjekje për të ndëshkuar komunitetin lokal. Ai ngre pyetjen sesi një ndërtim trekatësh mund t’i ketë “shpëtuar syrit të Benetit”, duke aluduar për selektivitet dhe qëllime politike pas ndërhyrjeve.
Boçi thekson se Thethi nuk është thjesht një fshat malor, por simbol i shpirtit shqiptar dhe i mbijetesës në kushte të vështira. “Kur fadroma ngrihet mbi gurët e Thethit, ajo nuk shemb thjesht ndërtime, por shpirtin e një vendi që Rama s’e ndihmoi kurrë me zemër dhe që tani e dënon pse është i zoti për mbijetesë”, shkruan ai.
Në fund, Boçi e krahason Ramën me personazhin e dramës së njohur të Durrenmatt-it, “Zonja Plakë”, që rikthehet për hakmarrje. “Por mos të harrojë: Shpagimi ka për të ardhur!”, përfundon ai.