Vendosni fjalën kyçe....

14-vjeçarja hidhet nga kati i tretë në Korçë, dyshohet se e bullizonin



Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Korçës mesditën e sotme, ku një vajzë e mitur është hedhur nga kati i tretë i pallatit ku jetonte. E mitura është dërguar menjëherë në spital dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Sipas burimeve spitalore, vajza ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por ka pësuar dëmtime serioze nga rënia.

Ndërkohë, jashtë kamerave, nëna e saj ka dhënë një dëshmi të dhimbshme, duke pohuar se vajza ishte prej kohësh viktimë e dhunës dhe bullizimit nga fëmijë të lagjes.

“Burrin e kam në burg për dhunë në familje, kam katër fëmijë. Erdha nga Barmashi i Kolonjës në lagjen 14 në Korçë. Vajzat e mia më i kanë rrahur, janë bullizuar pa pushim. Para dy ditësh vajzën e madhe e goditën në kurriz. Sot, një vajzë tjetër i vajti prapë për t’i bërë keq. Më goditi edhe mua në stomak dhe më morën në polici. Ndërkohë që isha në polici, çupa u hodh nga kati i tretë,” u shpreh ajo.

Sipas saj, vajza nuk përballonte më presionin dhe ngacmimet e vazhdueshme: “E tallnin fëmijët e lagjes, i thoshin: ‘Mamin ta morën në polici, jeni fshatarë’. Merrni masa, se nuk më lenë rehat.”

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet vendore apo ato të mbrojtjes së fëmijëve. Çështja ngre pikëpyetje serioze mbi sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve në komunitete të margjinalizuara dhe me sfida sociale.

Ngjarja vjen si një alarm për autoritetet për të ndërhyrë në raste të tilla, ku mungesa e mbështetjes sociale, varfëria dhe dhuna familjare kthehen në rrezik real për fëmijët.