Vendosni fjalën kyçe....

Forcat izraelite gjejnë 15 raketa pranë Ramallahut, të lidhura me një celulë terroriste


Forcat e sigurisë izraelite zbuluan të mërkurën në mëngjes 15 raketa në zonën e Ramallahut, të cilat dyshohet se i përkisnin së njëjtës celulë terroriste që u kap dy javë më parë me dhjetëra raketa, eksplozivë dhe armatime të fshehura në një ndërtesë.

Sipas autoriteteve, tetë prej raketave të gjetura ishin të armatosura me eksploziv, ndërsa shtatë të tjera jo. Krahas tyre, u zbuluan edhe 18 pajisje shpërthyese, armë dhe municione të tjera të përgatitura nga celula.

Zyrtarët thanë se grupi kishte vepruar për një kohë të gjatë nën radar, duke prodhuar raketa më të avancuara se ato të zbuluara kohët e fundit në Tulkarem.

Madje, celula kishte arritur të lëshonte një raketë në një distancë rreth dy kilometra.

“Zgjedhja e tyre për të prodhuar dhe testuar raketa brenda Bregut Perëndimor tregon rritjen e kapaciteteve të këtyre grupeve,” thanë burime të sigurisë, duke nënvizuar rrezikun që paraqesin këto armë ndaj komuniteteve izraelite pranë zonës, përcjell Ynet.

Deri më tani, vetëm një anëtar i celulës është arrestuar, por hetimet e bazuara në dëshminë e tij çuan në zbulimin e operativëve të tjerë dhe të arsenalit shtesë. Rasti po hetohet nga Shërbimi i Sigurisë së Brendshme (Shin Bet) dhe policia.

Rreth dy javë më parë, forcat izraelite kishin zbuluar në Ramallah një tjetër qendër prodhimi raketash, ku u gjetën dhjetëra armë, eksplozivë dhe pajisje, ndërsa pamjet nga vendi tregonin një raketë që u lëshua dhe ra pranë rrugës 443.

Një javë më herët, një testim i ngjashëm ishte kryer nga fshati palestinez Ni’ama në drejtim të komunitetit izraelit Beit Ur al-Tahta, po në rajonin e Binyamin.