
Deputetja e re e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, ka mbajtur sot fjalën e saj të parë në Parlament, duke iu drejtuar opozitës me akuza dhe ironi.
Në nisje të deklaratës së saj, ajo tha se në seancën e fundit opozita nuk u mor me procesverbalin, por vetëm me ofendime.
“Jeni marrë vetëm me ofendime për programin, për Diellën e për çdo gjë tjetër. Ishit ju që e kthyet atë seancë të parë plenare, që ne deputetët e rinj mezi po e prisnim, ju arritët ta kthenit në kaos,” deklaroi Çaushi.
Deputetja socialiste përmendi gjithashtu edhe kreun e Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i cili në seancën e kaluar u përjashtua nga Kuvendi për 10 ditë pas përplasjeve mes opozitës dhe mazhorancës.
“Gazi nuk është këtu, se atë sjellje ka, dhe ju të tjerët si Gazi do përfundoni,” tha ajo, duke shkaktuar reagime ironike nga opozita.
Më tej, Çaushi theksoi se sjellja e opozitës në Kuvend është e papranueshme:
“Të nderuar kolegë deputetë, është e papranueshme që në këtë seancë, edhe si çdo herë tjetër, të dëgjojmë të njëjtin fjalor. Këtu ne jemi pasqyra e atyre qytetarëve, mijëra që na ndjekin nga pas, dhe kjo sjellje të vazhdojë kështu në çdo seancë nuk mund të pranohet.”
Ajo shtoi se opozita ka deformuar funksionin e seancave plenare duke kërkuar fjalën për procedurë, pa u fokusuar në çështjet konkrete.
“Keni kaq shumë seanca që e kërkoni fjalën për procedurë edhe për atë që niset seanca për të rregulluar procesverbalin, por askush nga ju nuk është ngritur të thotë kjo fjalë e shkruar në procesverbal nuk është shkruar drejt. Jeni marrë vetëm me ofendime për programin, për Diellën e për çdo gjë tjetër që ju vetë e kishit mundësinë ta dëgjonit,” tha ajo.