
Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv ku deklaroi se plani i tij për shitjen e operacioneve të TikTok në SHBA, nga kompania kineze ByteDance tek investitorë amerikanë dhe globalë, i përgjigjet kërkesave të sigurisë kombëtare të parashikuara në ligjin e vitit 2024.
Sipas zëvendëspresidentit JD Vance, kompania e re që do të menaxhojë TikTok në SHBA do të ketë një vlerë rreth 14 miliardë dollarë, shumë më e ulët se vlerësimet e mëparshme të analistëve, që shkonin deri në 40 miliardë dollarë, përcjell Reuters.
Trump tha se kishte biseduar me presidentin kinez Xi Jinping, i cili, sipas tij, ka dhënë miratimin për marrëveshjen.
“I tregova çfarë po bënim dhe ai më tha të vazhdojmë përpara,” deklaroi Trump.
Sipas urdhrit, algoritmi i rekomandimeve të TikTok do të ritrainohet dhe do të monitorohet nga partnerët e sigurisë të kompanisë së re amerikane, ndërsa kontrolli mbi funksionimin e tij do të jetë nën juridiksionin e sipërmarrjes së përbashkët.
Trump përmendi se mes investitorëve që do të marrin pjesë në marrëveshje janë Michael Dell, Rupert Murdoch dhe disa investitorë të tjerë të cilësuar prej tij si “botërisht të nivelit më të lartë”.
Sipas burimeve, Oracle dhe Silver Lake do të zotërojnë rreth 50% të aksioneve të TikTok në SHBA, ndërsa aksionerë ekzistues të ByteDance pritet të mbajnë rreth 30%.
Në total, ByteDance do të ketë më pak se 20% të kompanisë së re, në përputhje me ligjin e vitit 2024 që kërkonte shitjen e aseteve amerikane të TikTok ose mbylljen e saj.
Ndërkohë, mediat kineze raportuan se ByteDance do të krijojë një entitet të ri në SHBA, i cili do të merret me operacionet tregtare dhe të ardhurat, duke mbajtur ende një rol të caktuar në menaxhimin e aplikacionit, raportime që më vonë u fshinë nga faqet e tyre.
Ligjvënësit republikanë në Kongres kanë kërkuar më shumë transparencë mbi marrëveshjen, duke theksuar se duhet të garantojë shkëputje të plotë nga ndikimi i Pekinit.
TikTok, i cili numëron mbi 170 milionë përdorues në SHBA, nuk ka komentuar ende mbi vendimin. Trump vetë ka 15 milionë ndjekës në platformë dhe e ka vlerësuar shpesh ndikimin e saj në fushatën elektorale që e çoi drejt rizgjedhjes.