
Kryetari i njësisë administrative Ishëm, Kadri Gjyli, ka dhënë dorëheqjen nga posti që mbante prej 21 vitesh. Lajmin e ka bërë të ditur vetë përmes një statusi në rrjetet sociale, ku falënderoi banorët për bashkëpunimin dhe kujtoi periudhat e vështira tërmetit të 2019-s dhe pandemisë së Covid-19.
Në vend të tij është emëruar Emirian Bafti, pjesë e strukturave të Bashkisë Durrës. Gjyli u shpreh i bindur se pasardhësi i tij ka eksperiencën e nevojshme për ta menaxhuar me sukses njësinë administrative.
Ndërkohë, një ditë më parë, kanë dhënë dorëheqjen edhe drejtuesit e njësive Sukth, Manëz, Rrashbull dhe Katund i Ri, me kërkesat që janë pranuar nga kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako.
“Të nderuar banorë të Njësisë Administrative Ishëm
Nga sot nuk do të jem më Administrator i kësaj Njesie! Shumë mirënjohje dhe rrespekt për këdo që pata rastin të punoj dhe bashkëpunoj sidomos në 2 periudhat më të vështira që kaloi Ishmi, termetin e Nëntorit 2019 dhe periudha e pandemisë covid19 ,ku besoj që ja dolëm me sukses.
Ndjesë për këdo që padashur mund ta kem lënduar dhe shumë rrespekt per te gjithë banorët që për 21 vite në Ishëm pata mundësinë ti shërbej dhe ti njoh nga afër.
Gjithashtu i uroj punë të mbarë Administratorit te ri Emirian Bafti, me të cilin kemi punuar dhe kaluar sëbashku të gjitha vështirësitë e lartëpermendura, dhe jam i bindur që Emirjani ka ekperiencën e duhur për ta manaxhuar dhe drejtuar më së miri Njesinë Administrative Ishëm.
Faleminderit!”, shkruan Kadri Gjyli në rrjete sociale.