
Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për kapjen dhe ekstradimin e personave të kërkuar nga drejtësia, Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, finalizuan me sukses ekstradimin drejt Shqipërisë të shtetasit Kristjan Lulaj, 26 vjeç, i lindur në Shkodër.
Lulaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas një ngjarjeje të rëndë më 2 prill 2024 në fshatin Baks të Velipojës, ku ai dyshohet se plagosi me armë zjarri shtetasin E. P.. Ngjarja tronditi komunitetin lokal dhe u cilësua si tentativë për vrasje me paramendim.
Mbi 26-vjeçarin rëndojnë akuzat për “Vrasje me dashje, mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Gjykata e Shkodrës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” në maj të vitit 2025.
Operacioni i ekstradimit u realizua brenda nismës ndërkombëtare “The Wanted”, që ka për qëllim lokalizimin dhe kthimin në vendet e origjinës të shtetasve të kërkuar për vepra të rënda penale.