Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta në moshën 71-vjeçare aktori dhe regjisori i njohur Enver Petrovci


Bota e artit shqiptar është në zi. Aktori dhe regjisori i mirënjohur, Enver Petrovci, është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në teatër dhe kinematografi.

Me dhimbje dhe pikëllim të madh njoftojmë ndarjen nga jeta të aktorit tonë të dashur, Enver Petrovci. Kjo është një humbje e madhe për familjen tonë dhe për mbarë artin shqiptar. Ai do të kujtohet gjithmonë për shpirtin e tij fisnik dhe veprën e jashtëzakonshme që la pas”, shkruan një nga familjarët e aktorit në rrjete sociale.

Petrovci është kujtuar për interpretimet e tij brilante në skenë, ku solli me mjeshtëri role të mëdha të dramaturgjisë botërore si Hamleti, Makbethi apo Jul Cezari.

 Ai ishte një nga themeluesit e Teatrit “Dodona” dhe i Shkollës së Aktrimit në Prishtinë, duke i dhënë një dimension të ri zhvillimit të skenës teatrore shqiptare.

 

Kush ishte Enver Petrovci

Enver Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Fillimisht studioi aktrim në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, më pas vazhdoi studimet në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit.

Karriera e tij nisi me sukses të madh në teatrin “Atelieja 212”, ku u bë i njohur në mbarë ish-Jugosllavinë dhe u vlerësua si një nga aktorët më të spikatur të kohës.

Pas vitit 1999, Petrovci u rikthye në trojet shqiptare, ku vijoi me intensitet aktivitetin e tij artistik në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë. Interpretimet në film e bënë atë një emër të njohur jo vetëm në kinematografinë shqiptare, por edhe në atë ndërkombëtare.

Në vitin 1989, ai u kthye nga Beogradi për të ligjëruar lëndën e aktrimit në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, duke qenë ndër themeluesit dhe profesorët e parë të degës së Artit Dramatik.

Ikona e teatrit dhe kinemasë shqiptare, Enver Petrovci, do të kujtohet jo vetëm për talentin e tij të jashtëzakonshëm, por edhe për kontributin e madh që dha në formimin e brezave të rinj të aktorëve.