Vendosni fjalën kyçe....

Hyundai konfirmon investim prej 2.7 miliardë dollarësh për zgjerimin e fabrikës në Xhorxhia



Hyundai Motor Group ka konfirmuar sot planin për të zgjeruar fabrikën e saj në Ellabell të Xhorxhias, me një investim prej 2.7 miliardë dollarësh që do të rrisë kapacitetin e prodhimit me 200,000 automjete në vit gjatë tre viteve të ardhshme, duke e çuar totalin në 500,000 automjete në vit, përcjell AP.

Ky lajm vjen disa javë pas një kontrolli imigrantësh në fabrikë, ku u arrestuan mbi 300 punonjës koreanë, dhe që shkaktoi vonesa në nisjen e fabrikës së baterive për automjetet elektrike, duke tensionuar edhe marrëdhëniet diplomatike mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut. Megjithatë, Hyundai njoftoi se nuk do të ndalojë investimet dhe zgjerimet e saj në SHBA.

Fabrika aktualisht prodhon dy modele, por Hyundai planifikon të prodhojë në Xhorxhia 10 modele elektrike dhe hibride, përfshirë për herë të parë edhe një pikap mesatar, segment ky shumë i rëndësishëm në tregun amerikan. Kompania synon të arrijë prodhimin global në 5.6 milionë automjete në vit deri në vitin 2030, ku 60% do të jenë elektrike ose hibride.

Fabrika e baterive, në bashkëpunim me LG Energy Solution, pritet të hapet në gjysmën e parë të vitit 2026, me një vonesë prej 2-3 muajsh për shkak të kontrollit imigrantësh.

Guvernatori i Xhorxhias, Brian Kemp, u shpreh i sigurt që avantazhet e biznesit në shtet do të vazhdojnë të tërheqin investime të huaja dhe po zhvillon bisedime me administratën federale për çështjet e vizave për punonjësit e huaj.

Përveç zgjerimit në Xhorxhia, Hyundai planifikon të rrisë prodhimin edhe në Indi, Korenë e Jugut, Arabinë Saudite, Vietnamin dhe Afrikën e Veriut, duke shtuar 1.2 milionë automjete në prodhimin global.

Kompania gjithashtu njoftoi se deri në vitin 2027 do të nisë prodhimin e automjeteve elektrike me gamë të zgjatur, që do të ofrojnë mbi 600 milje (rreth 960 kilometra) në një karikim të vetëm.