Vendosni fjalën kyçe....

Kërkon sërish lirimin nga burgu, GJKKO shqyrton më 19 shtator kërkesën e Metës


Presidenti i PL-së, Ilir Meta, ka paraqitur sërish kërkesë në GJKKO për të dalë nga qelia. Seanca për shqyrtimin e kërkesës së tij për zëvendësimin e masës së sigurisë është caktuar më 19 shtator 2025.

Avokatët e Metës kanë dorëzuar kërkesën për lirim nga burgu, ku ai ndodhet prej 21 tetorit 2024. 

“Kërkuesi Ilir Metaj, me gjeneralitetet dhe adresën e mësipërme, me anë të kësaj kërkese drejtuar Gjykatës Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit Organizuar, ka si qëllim revokimin e masës sigurimit personal të arrestit në burg, vendosur kjo me vendimin nr. 125 datë 20.10.2024 dhe vendimit nr.130 datë 23.10.2024 të Gjykatës Shkallës Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit Organizuar lënë në fuqi me vendimin nr. 59 (87-2024-333) datë 19.11.2024 nga Gjykata e Posaçme Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit Organizuar”, shkruhet në letrën e depozituar nga përfaqësuesit ligjorë të Presidentit të PL-së.

GJKKO ka caktuar datën 25 shtator, ora 11:00, për seancën e parë paraprake ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe katër të pandehurve të tjerë të hetuar nga SPAK. Seanca do të drejtohet nga gjyqtarja Irena Gjoka, e përzgjedhur me short elektronik.

Gjoka do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim, do t’i rikthehet SPAK-ut për hetime të mëtejshme apo do të pushohet.