Vendosni fjalën kyçe....

Berisha me grupin e ri parlamentar të PD: Opozita nuk bëhet jashtë Kuvendit, Rama shpalli “pushtetin permanent”


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim me grupin e ri parlamentar të PD-së, ku theksoi se bojkotimi i Kuvendit nuk është një alternativë e vlefshme për të bërë opozitë.

“Mosparaqitja në Kuvend nuk është zgjidhje. Ne duhet të jemi aty për të përballuar çdo akt e çdo vendim të qeverisë, pavarësisht mënyrës se si Edi Rama përpiqet të shfrytëzojë praninë tonë,” – u shpreh Berisha.

Ai ndaloi edhe te deklaratat e kryeministrit Rama gjatë prezantimit të kabinetit të ri qeveritar dhe vendimeve të fundit të tij, duke e akuzuar se ka shpallur hapur konceptin e “pushtetit permanent”.

“Nuk është problemi te Sara Mile, Arkend Balla apo Trrazhi, ata janë lule në krahasim me çfarë janë Balla, Xhafa, She, grupi tjetër kriminal. Dhe unë mirëkuptoj shqetësimet, sepse është e vërtetë që praninë tonë Edi Rama e shfrytëzon. Njeriu që sot shpalli teorinë e pushtetit permanent, praninë tonë e shfrytëzon si stoli. Ai tregoi hapur se ç’mendon për rotacionin: për të nuk ekziston. Demokratët kanë instinkte politike të zhvilluara, integritet, dhe mendojnë se po bëjmë një gabim të rëndë që po hyjmë në parlament,” – tha Berisha.

Në këtë mbledhje, kreu i opozitës la të kuptohet se PD do të vijojë betejën politike brenda institucioneve, pavarësisht se sipas tij, qeveria kërkon të përdorë Kuvendin vetëm për të legjitimuar pushtetin e vet.