Vendosni fjalën kyçe....

Aksident në Kukës, dy të rinj plagosen rëndë, njëri në gjendje kritike



Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar rreth orës 01:00 pas mesnate në qytetin e Kukësit, në zonën e njohur si “Sheshi Agjensia”.

Një automjet tip Benz, ku udhëtonin dy të rinj, ka dalë nga rruga dhe është përplasur fillimisht me disa automjete të parkuara, për të përfunduar disa metra më poshtë pasi drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin. Përplasja ka qenë tepër e fortë, duke lënë të plagosur rëndë të dy personat që ndodheshin në makinë.

Bëhet fjalë për një 22-vjeçar dhe një 17-vjeçar, të cilët janë dërguar fillimisht në urgjencën e spitalit rajonal të Kukësit, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore. Për shkak të plagëve të rënda, ata janë transportuar më pas drejt spitalit të Prizrenit për trajtim të specializuar.

Gjendja shëndetësore e 17-vjeçarit është përkeqësuar ndjeshëm, për shkak të një hemorragjie të brendshme në kokë dhe dëmtimeve të organeve të brendshme. Mëngjesin e sotëm, ai është transferuar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet në kujdesin intensiv dhe në gjendje kritike për jetën.

Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e lartë dhe humbja e kontrollit nga drejtuesi i mjetit.

Ky është aksidenti i dytë i rëndë brenda pak ditësh në qarkun e Kukësit. Vetëm dy ditë më parë, në një përplasje tragjike në Has, humbën jetën dy persona pas një aksidenti fatal mes dy automjeteve.