Vendosni fjalën kyçe....

Guvernatori Sejko: Të gjitha bankat shqiptare janë pranuar në sistemin europian të pagesave SEPA


Guvernatori i BSH, Gent Sejko, i ftuar në panelin 5 për pozicionimin e Shqipërisë në rrjetin global të tregtisë,njoftoi se të gjitha bankat shqiptare janë pranuar në sistemin europian të pagesave SEPA.

Që nga 7 tetori, sistemi bankar i vendit do të kryejë pagesa dhe transferta përmes SEPA, duke ulur komisionet rreth pesë herë dhe duke përmirësuar imazhin e Shqipërisë dhe investimet e huaja.

Sejko theksoi gjithashtu se ekonomia pritet të vazhdojë rritjen me ritme 3.5-4%, me turizmin si një nga sektorët kryesorë.

“Të gjitha bankat kanë aplikuar në sistemin europian të pagesave, pasi është Komisioni Europian i pagesave që certifikon dhe ndjek procesin.

Të gjitha bankat janë pranuar dhe 7 tetori do të jetë dita kur bankat, sistemi bankar shqiptar do të jetë funksional dhe do të fillojë kryerjen e pagesave e transfertave në sistemin SEPA.

Kjo është arritje e madhe pasi e konsideron Shqipërinë të integruar në bashkimin europian në aspektin e pagesave në fushën financiare.

Është një hap mjaft i madh, i mirë për Shqipëri, ka efekte të konsiderueshme jo vetëm në kursimin konkret të parave për ekonominë nga ulja e komisioneve, komisionet do jenë të paktë 5 herë më të ulta krahasuar me ato tani, qoftë për individët, qoftë për bizneset, por gjithashtu është efekt pozitiv në imazhin e vendit dhe rritjen e investimeve të huaja.

Ekonomia e Shqipërisë ka ardhur në rritje, ne si bankë parashikojmë që edhe në afatin e shkurtët dhe të mesëm rritja ekonomike do të vazhdojë me të njëjtat ritëm 3.5-4%, turizmi është një nga sektorët kryesorë që ndikon.”