
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, I ka anuluar mbrojtjen e Shërbimit Sekret ish-zëvendëspresidentes dhe rivales demokrate në zgjedhjet e vitit 2024, Kamala Harris, tha të premten një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë.
Ish-zëvendëspresidentët zakonisht marrin gjashtë muaj mbrojtje nga Shërbimi Sekret pasi largohen nga detyra.
Mbrojtja e Harris u zgjat në një vit, deri në janar 2026, nga presidenti i atëhershëm Joe Biden para se ai të largohej nga detyra janarin e kaluar, tha zyrtari.
Haris në shtator do nisë një turne librash në 15 qytete për librin e saj me kujtime, “107 Ditë”, rreth kandidimit të saj të pasuksesshëm presidencial. Ajo ishte kandidatja demokrate për 107 ditë pasi Biden u tërhoq nga gara në javët pas një debati katastrofik kundër Trump. Trump më pas e mundi Harrisin në zgjedhje, shkruan RT.
Letra drejtuar Harris, e ditës së enjte, thotë se ndërprerja e sigurisë shtesë hyn në fuqi më 1 shtator, tha zyrtari. Kirsten Allen, një këshilltare e lartë e Harris, tha në përgjigje të këtij veprimi: “Zëvendëspresidentja është mirënjohëse ndaj Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara për profesionalizmin, përkushtimin dhe angazhimin e palëkundur ndaj sigurisë”, tha ajo.
Harris humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 ndaj Trump, por nuk e ka përjashtuar një kandidim të mundshëm presidencial në vitin 2028. Ajo njoftoi më 30 korrik se nuk do kandidojë për guvernatore të Kalifornisë në vitin 2026.
Trump gjithashtu i ka dhënë fund mbrojtjes federale të sigurisë për të tjerë ish-zyrtarë, siç është ish-këshilltari i sigurisë kombëtare John Bolton. Në mars, ai i dha fund mbrojtjes për fëmijët e Biden, Hunter Biden dhe Ashley Biden.