Vendosni fjalën kyçe....

Arrestimi i dy punonjësve të saj, IMT distancohet: Sjellje e papranueshme


IMT është distancuar nga dy punonjësit e arrestuar të saj dhe dy të tjerët të shpallur në kërkim.

Në një njoftim për shtyp, IMT thekson se distancohet nga veprimet e punonjësve të arrestuar dhe se sjellje të tilla janë të papranueshme.

Më tej në reagim, institucioni nxit prokurorinë për ndëshkimin e rastit sipas ligjit si dhe nxit qytetarët që të denoncojnë raste të ngjashme.

Dy punonjës të IMT-së, Gerald Fuçia dhe Edmond çela, u arrestuan ditën e sotme me kërkesë të SPAK. Ata dyshohet se merrnin lekë nga subjekte të ndryshme për të mos u prishur tendat.

Reagimi i IMT-së Tiranë

“Marrë shkas nga ngjarja e ndodhur ditën e sotme, ku katër punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit kanë shkelur rëndë ligjin, bëjmë me dije opinionin publik se institucioni ynë e dënon me vendosmëri këtë rast.

Sjellje të tilla janë të papranueshme dhe IMT distancohet plotësisht nga këto veprime individuale. Ndaj personave të përfshirë janë marrë menjëherë të gjitha masat e nevojshme administrative, duke i shkarkuar nga detyra.

Theksojmë se ky rast nuk përfaqëson punën dhe misionin e IMT-së. Institucioni ynë mbetet i përkushtuar të vijojë punën me integritet, transparencë dhe profesionalizëm, në shërbim të interesit publik dhe në mbrojtje të territorit.

IMT inkurajon organet ligjzbatuese për bashkëpunim të plotë dhe ndëshkimin e rastit sipas ligjit, si edhe inkurajon çdo qytetar të denoncojë raste të ngjashme, në mënyrë që të mos mbetet asnjë hije dyshimi mbi integritetin e institucionit dhe misionin e tij.”