
Hamasi ka pranuar një propozim të SHBA-së për të filluar bisedimet për lirimin e pengjeve dhe ushtarëve izraelitë 16 ditë pas fillimit të fazës së parë të procesit të uljes së tensioneve, citoi Reuters të ketë thënë një zyrtar i lartë brenda grupit palestinez.
Grupi militant ka hequr dorë nga kërkesa e tij për Izraelin që së pari të angazhohet për një armëpushim të përhershëm përpara nënshkrimit të marrëveshjes. Çështja e pengjeve do trajtohet pas zbatimit të fazës së parë të një marrëveshjeje që synon zgjidhjen e luftëst në Gaza. Sipas burimit të cituar nga Reuters, Hamasi pret t’i japë fund armiqësive përmes bisedimeve gjatë fazës së parë gjashtëjavore të marrëveshjes.
Nëse propozimi i SHBA-së përqafohet nga Izraeli, ai mund të çojë në një marrëveshje kornizë që do sillte paqen në Gaza pas nëntë muajsh konflikti, sugjeroi zyrtari i Hamasit.
Nisma amerikane siguron gjithashtu se ndërmjetësit ndërkombëtarë do garantojnë një armëpushim të përkohshëm, do dërgojnë ndihma dhe do nxisin tërheqjen e trupave izraelite nga enklava palestineze, për sa kohë që bisedimet e tërthorta për zbatimin e fazës së dytë të marrëveshjes janë duke vijuar, shtoi ai.
Faza e parë e planit që aktualisht po shqyrtohet nga palët kërkon që Hamas të lirojë pengjet e moshuara, të sëmura dhe femra në këmbim të një armëpushimi gjashtëjavor, tërheqjen e trupave izraelite nga qytetet në Gaza dhe lirimin e të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli.
Faza e dytë pritet të përfshijë lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura, duke përfshirë ushtarë dhe burra, si dhe trupat e atyre që vdiqën; do sillte gjithashtu një fund të përhershëm të luftimeve dhe tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Gaza.
Rindërtimi i Gazës në vazhdën e fushatës së bombardimeve izraelite dhe sulmit tokësor duhet të fillojë si pjesë e fazës së tretë. Sipas raportimeve të mediave, mosmarrëveshjet për kalimin nga faza e parë në fazën e dytë kanë qenë pengesa kryesore e negociatave muajt e fundit.
Të enjten, kabineti i sigurisë i Izraelit miratoi dërgimin e një delegacioni në Doha për të rifilluar bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti për të arritur një marrëveshje pengjesh dhe armëpushimi me Hamasin. Negociatat do zhvillohen javën e ardhshme, sipas zyrës së kryeministrit Benjamin Netanyahu.
“Times of Israel” raportoi se para shpalljes së rifillimit të bisedimeve, Netanyahu u takua me negociatorët izraelitë, duke u thënë atyre se “lufta do përfundojë vetëm pas arritjes së të gjitha qëllimeve të saj, dhe jo më parë”. Një nga synimet kryesore, të shprehur më herët nga kryeministri, është eliminimi i plotë i Hamasit.
Izraeli filloi operacionin e tij në Gaza në përgjigje të një inkursioni ndërkufitar të Hamasit tetorin e kaluar, në të cilin të paktën 1200 njerëz u vranë dhe 250 u morën peng. Rreth 116 robër besohet se mbahen ende në Gaza. Të paktën 38,011 njerëz janë vrarë deri më tani dhe më shumë se 87,445 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite në enklavën palestineze, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës.