
Nga call center-at te fermat, IA po zëvendëson profesionet rutinë dhe po krijon kërkesa të reja për aftësi, ndërkohë që sfidat me papunësinë tek të rinjtë dhe mungesat në tregun e punës po thellohen.
Vodafone Italia shkurtoi 450 punonjës shqiptarë që ofronin shërbimet call center për klientin këtë vit duke i zëvendësuar me chatbot të Inteligjencës Artificiale.
Kompanitë e konsulencës, auditit, financës, marketingut etj. nuk po rekrutojnë punonjës të rinj.
Teksa papunësia te të diplomuarit u rrit në vitin 2025, CEO-t kanë pohuar se IA po rrit produktivitetin. Cilat profesione rrezikohen në Shqipëri, si do të riformësohet tregu i punës.
Të dhënat globale të 2025-s për ndikimin e IA japin shpresë
Blerina Hoxha
Para pak ditësh A. Aga, në të 50-tat e tij, humbi punën në call center në të cilën po punonte 15 vitet e fundit.
Vodafone Italia shkurtoi rreth 450 punonjës në Shqipëri, të cilët kryenin shërbimet ndaj klientit, duke i zëvendësuar ata me një chatbot të integruar me Inteligjencën Artificiale.
“Atë që bënin 750 punonjës për disa orë, tani e bën Inteligjenca Artificiale vetëm në tri minuta dhe pa asnjë gabim”, tha z. Aga. Deri në fund të vitit pritet të humbin punën rreth 900 punonjës që ofronin shërbimet call center nga Shqipëria për Vodafone Italia.
Inteligjenca Artificiale po integrohet me shpejtësi në shumë procese pune, teksa kompanitë e teknologjisë janë duke zhvilluar lloje të reja për profesione të ndërlikuara. Teknologjia po përparon aq shpejt sa parashikimet po bëhen më të vështira.
Nina Bala, e cila punon për një kompani britanike në Shqipëri, që ofron shërbime financiare, të konsulencës dhe dizajnit, tha se Inteligjenca Artificiale është integruar fuqimisht në të gjitha proceset.
Ajo pohoi se kompania nuk ka bërë shkurtime, por nuk po zgjerohet në punonjës të rinj edhe pse aktiviteti është zgjeruar. Me ndihmën e IA tashmë një dizenjues bën punën e tre personave. Kjo vlen për të gjithë sektorët, tha ajo.
Ekonomia shqiptare është pak e dixhitalizuar dhe ende e bazuar në një model ku dominon krahu i lirë i punës.
Mirëpo integrimi i Inteligjencës Artificiale edhe në vendin tonë për disa profesione të tilla si përkthyesit, operatorët telefonikë, ekspertë të marketingut, disa specialistë të teknologjisë, dhe përgjithësisht profesione në të gjitha fushat e detyrave, në nivelin e ulët dhe të mesëm, po bëhen gjithnjë e më shumë të zëvendësueshëm.
Studimet e deritanishme tregojnë se Inteligjenca Artificiale po integrohet me shpejtësi duke zëvendësuar njerëzit, por kjo nuk po ndikon në rritjen e papunësisë.
Një studim i fundit i Institutit të Vjenës për studime ekonomike tregoi se industritë dhe bizneset që kishin përdorur robotikën dhe Inteligjencën Artificiale kishin prodhuar më shumë me më pak punonjës. Ata gjetën se prodhimi u rrit, teksa punonjësit e shkurtuar në sektorin e prodhimit u rekrutuan në sektorë të tjerë operacionalë.
Pasi rritja e prodhimit shtroi nevojën për tregje të reja dhe aftësi të reja njerëzore, tregjet fizike të shitjeve me pakicë në SHBA dhe Europë u tronditën në fillim të kësaj dekade nga shitjet online.
Mirëpo shumë shpejt në vend të shitësve u rrit kërkesa për punonjës të postës dhe shpërndarjes, paketimit dhe teknologjisë.
Në terma makro, Inteligjenca Artificiale nuk e ka rritur papunësisë, por ka shtruar nevojën për ristrukturim të punësimit dhe përshtatje më të shpejtë të sistemit të edukimit për t’iu përgjigjur zhvillimeve teknologjike.
Zoti Aga që humbi punën në call center siguroi menjëherë një kontratë të re me të njëjtat kushte. Ai tha se përgjithësisht, shumica e kolegëve kanë siguruar punë të re, pasi nevojat për shërbime call center ende janë të larta në vendin tonë.
CEO-t shqiptarë: 60% mendojnë se IA ka sjellë përmirësim
Vetëm dy vite pasi Inteligjenca Artificiale Gjenerative (GenAI) hyri në horizontin e drejtuesve të korporatave, kompanitë në Shqipëri dhe Kosovë kanë filluar ta përqafojnë atë në përmasa gjithnjë e më të mëdha.
Pricewaterhouse Coopers, i njohur edhe si PwC, një rrjet shumëkombësh shërbimesh profesionale me seli në Londër, në një anketë me 43 CEO në Shqipëri dhe Kosovë, rezultatet të cilës u publikuan në pranverën e këtij viti, tregoi se 60% e drejtuesve në dy vendet thanë se përdorimi i GenAI ka sjellë përmirësim në efikasitetin e përdorimit të kohës nga punonjësit.
Një përqindje më e vogël, rreth 23%, raportojnë rritje të të ardhurave, ndërsa 26% kanë parë edhe përmirësim të fitimeve.
Edhe pse këto shifra janë pak më të ulëta se pritshmëritë optimiste të shprehura nga drejtuesit vitin e kaluar, entuziazmi për të ardhmen nuk është zbehur.
Thuajse gjysma e CEO-ve në Shqipëri dhe Kosovë (44%) presin që përdorimi i GenAI të ndikojë pozitivisht në rritjen e fitimit të kompanisë së tyre në 12 muajt e ardhshëm.
Kjo pritshmëri lidhet me aftësitë që ka GenAI për të automatizuar detyra komplekse, për të gjeneruar zgjidhje inovative dhe për të përmirësuar procesin e marrjes së vendimeve.
Shumë drejtues e konsiderojnë atë si një mjet transformues që mund të sjellë kursime të ndjeshme në kosto dhe të rrisë produktivitetin, dy faktorë kyç që ndikojnë drejtpërdrejt në fitim.
Ndërkohë që tregjet po përballen me dinamika gjithnjë e më të paqëndrueshme, përdorimi strategjik i teknologjive të reja si GenAI pritet të ofrojë një avantazh konkurrues dhe t’i pozicionojë më mirë kompanitë për një rritje të qëndrueshme.
Por ky optimizëm nuk vlen për të gjithë. Një përqindje e konsiderueshme, 44% e drejtuesve në Shqipëri dhe Kosovë, shprehen se nuk presin ndonjë ndryshim në fitimet e kompanisë së tyre si rezultat i përdorimit të GenAI.
Skepticizmi vjen si pasojë e perceptimit se teknologjia është ende në zhvillim dhe nuk është e lirë nga kufizimet. Kjo qasje reflekton të njëjtën ndarje që vërehet edhe në vendet e tjera të rajonit të Europës Qendrore dhe Lindore (CEE), por edhe në nivel global.
Gjithsesi, ajo që bie në sy është konsensusi i gjerë mbi nevojën për ekspertizë të re. Integrimi i GenAI kërkon njerëz të aftë për ta përdorur atë në mënyrë efikase, për të shfrytëzuar maksimalisht potencialin e saj, përcjell Monitor.
Prandaj, paralelisht me teknologjinë, do të kërkohet një investim i thelluar në kapitalin njerëzor.
Dhe ndërsa debati mes optimistëve dhe skeptikëve vazhdon, anketa tregoi se Inteligjenca Artificiale po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e së ardhmes së biznesit edhe në Shqipëri e Kosovë.
Një ndër prirjet më interesante që del në pah nga sondazhi është zbehja e kufijve mes sektorëve ekonomikë tradicionalë. 40% e CEO-ve thonë se kompanitë e tyre kanë hyrë në fusha të reja të biznesit në pesë vitet e fundit, një tregues i qartë se modelet tradicionale po transformohen.
Megjithatë, ritmi i këtij transformimi mbetet i ngadaltë. Vetëm 9% e të ardhurave të kompanive në Shqipëri dhe Kosovë në pesë vitet e fundit kanë ardhur nga bizneset e reja.
Sipas raportit, kjo vjen si pasojë e një vendimmarrjeje të dobët, mungesës së alokimit dinamik të burimeve dhe pamundësisë për të menduar në afat të gjatë, një sfidë veçanërisht e dukshme në vendet ku drejtuesit ndërrohen shpesh dhe vizioni afatgjatë nuk ka gjithnjë prioritet.
Barometri Global i Punësimit në IA 2025: Mos u frikësoni
Barometri Global i Punësimit 2025 i PricewaterhouseCoopers (PwC) zbulon se IA mund t’i bëjë njerëzit më të vlefshëm, madje edhe në punët më të automatizuara.
PwC analizoi gati një miliard njoftime pune nga gjashtë kontinente për të zbuluar ndikimin global të IA-së në vende pune, aftësi, paga dhe produktivitet.
Anketa nxori në pah rritje më të lartë të të ardhurave për punëtor në industritë më të ekspozuara ndaj Inteligjencës Artificiale. Një numër i industrive po rrisin përdorimin e Inteligjencës Artificiale, duke përfshirë industritë më pak të ekspozuara ndaj saj, siç janë minierat dhe bujqësia.
Rritja e të ardhurave në industritë e ekspozuara ndaj Inteligjencës Artificiale është përshpejtuar ndjeshëm që nga viti 2022, viti kur prezantimi i ChatGPT 3.5 e zgjoi botën ndaj fuqisë së Inteligjencës Artificiale.
Që atëherë, kompanitë kanë nxituar për të shfrytëzuar këtë teknologji dhe të ardhurat në industritë që përdorin Inteligjencën Artificiale janë rritur ndjeshëm.
PwC analizoi ndikimin e IA-së në ecurinë e vendeve të punës. Anketa gjeti se industritë më të ekspozuara ndaj Inteligjencës Artificiale kanë rritje 3 herë më të lartë të të ardhurave për punonjës.
IA mund t’i bëjë punëtorët më produktivë dhe t’i aftësojë ata të krijojnë më shumë vlerë. Që nga viti 2022, kur ndërgjegjësimi për fuqinë e IA-së u rrit, të ardhurat në industritë më të pozicionuara për të përdorur IA-në janë katërfishuar. Kjo sugjeron që investimet në IA po japin fryte.
Anketa gjeti gjithashtu se pagat po rriten dy herë më shpejt në industritë më të ekspozuara ndaj Inteligjencës Artificiale krahasuar me ato që janë më pak të ekspozuara.
Anketa evidentoi se pagat po rriten për punëtorët edhe në rolet më të automatizuara, duke sugjeruar se shqetësimet se IA po zhvlerëson njerëzit mund të jenë të mbivlerësuara.
Aftësitë për punët e ekspozuara ndaj Inteligjencës Artificiale po ndryshojnë 66% më shpejt sesa për punët e tjera. IA po i ripërcakton rolet gjithnjë e më shpejt dhe po krijon ndryshime të shpejta në aftësitë e nevojshme për të pasur sukses në punët e mundësuara nga IA.
Anketa gjeri se pagat e punëtorëve me aftësi të IA-së ishin dukshëm më të larta, se ato në sektorët tradicioanlë. Për më tepër, çdo industri e analizuar tregoi rritje pagash për punonjësit me aftësitë në përdorimin e IA-së.