
Përmbytjet e papritura të shkaktuara nga reshjet e dendura kanë vrarë mbi 400 persona në Pakistan, Kashmirin e administruar nga India dhe Nepal, njoftuan autoritetet, ndërsa dhjetëra të tjerë vijojnë të konsiderohen të zhdukur.
Në Pakistanin veriperëndimor, të paktën 321 persona kanë humbur jetën brenda 48 orëve si pasojë e përmbytjeve të menjëhershme, njoftuan autoritetet lokale të shtunën. Më shumë se dhjetë fshatra në rajonin Buner të provincës Khyber Pakhtunkhwa janë shkatërruar plotësisht, shkruan CNN.
Rrugët e përmbytura dhe rrëshqitjet e dheut po pengojnë ekipet e shpëtimit të hyjnë në zonat e izoluara, ku dyshohet se dhjetëra persona janë varrosur nën rrënoja, tha Bilal Faizi, zëdhënës i agjencisë së emergjencave Rescue 122.
Pesë anëtarë të ekuipazhit humbën jetën në provincën Khyber Pakhtunkhwa, pasi një helikopter u rrëzua gjatë operacioneve të ndihmës, njoftoi një zyrtar lokal.
Në Kashmirin e administruar nga India, të paktën 60 persona kanë vdekur dhe mbi 200 të tjerë rezultojnë të zhdukur në qytetin Chashoti të premten, një destinacion i njohur pelegrinazhi për turistët hindu.
Ndërkohë, në Nepal, autoritetet raportuan të paktën 41 viktima dhe 121 persona të plagosur.