
Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gaz Bardhi ka akuzuar ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku për zgjedhjet e 11 majit në qarkun e Fierit.
Ai ka publikuar në Facebook një video që sipas tij vërteton kontrollin e votës nga grupi I Ballukut. Demokrati thekson se qytetarët jo vetëm u terrorizuan gjatë fushatës zgjedhore por u kontrolluan edhe ditën e votimit.
Bardhi thekson se pamjet video tregojnë sesi qytetarët u kontrolluan nga patronazhisti i PS-së pranë kutisë së votimit.
“Episodi 4 / VOTIM I KONTROLLUAR = FARSË ZGJEDHORE
Mungesa e bilancit qeverisës dhe mashtrimi 12 vjeçar, bënë që në qarkun e Fierit patronazhimi të strukturohej fiks si një organizatë terroriste. Qytetarët nuk duhej të terrorizoheshin nga banda e Belinda Ballukut vetëm gjatë fushatës zgjedhore, por ditën e votimit duhet të kontrollohej çdo votë që hidhej në kuti.
Pamjet më poshtë të KQZ-së, në qendrat e votimit nr. 3147 dhe nr. 3150, njësia administrative Dërmenas, Bashkia Fier, provojnë atë që opozita ka thënë që ditën e parë, se votimi i lirë u shndërrua në votim të kontrolluar deri tek kutia e votimit.
Pamjet tregojnë sesi në dhjetra raste qytetarët votojnë duke pasur patronazhistin e PS tek koka apo sesi vëzhgues e patronazhistë të PS votojnë në emër të qytetarëve. Zgjedhjet nënkuptojnë votim të lirë dhe jo terror nga banda elektorale e Belinda Ballukut. 11 Maji ka hyrë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri si farsa elektorale më e shëmtuar e organizuar ndonjëherë.” – shkruan Bardhi.