
Një delegacion i Hamasit pritet të takohet të hënën me zyrtarë të lartë të inteligjencës egjiptiane, ndërsa bisedimet për armëpushim kanë ngecur dhe Izraeli ka paralajmëruar një ofensivë të madhe në qytetin e Gazës.
Lëvizja vjen një ditë pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, urdhëroi përshpejtimin e planit për marrjen nën kontroll të qytetit nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), përcjell Ynet.
Sipas mediave arabe, ndërmjetësit po shtojnë përpjekjet për të ringjallur negociatat. Gazeta libaneze Al-Akhbar, e afërt me Hezbollah-un, raportoi se vizita e Hamasit në Kajro është pjesë e përpjekjeve të Egjiptit dhe Katarit për të shmangur ofensivën izraelite.
Kanali Al-Araby bëri të ditur se delegacionin do ta kryesojë zyrtari i lartë Khalil Al-Hayya.
Burime egjiptiane i thanë Al-Akhbar se një nga pengesat kryesore është qëndrimi i paqartë i Izraelit, i cili luhatet mes shtyrjes së ofensivës dhe përgatitjeve për nisjen e saj.
Ndërkohë, e përditshmja londineze Al-Quds Al-Arabi raportoi se javën e kaluar, në Doha, ndërmjetësit nga Katari u takuan me drejtues të Hamasit për të diskutuar propozime të reja armëpushimi.
Drafti i propozuar parashikon një kompromis mes një marrëveshjeje të plotë dhe asaj të pjesshme, me një armëpushim 60-ditor të garantuar nga SHBA-ja dhe ndërkombëtarët për të shmangur rinisjen e luftimeve.
Al-Akhbar gjithashtu përmendi një raport mbi një plan të administratës së presidentit amerikan Donald Trump për zhvendosjen e një milion palestinezëve nga Gaza në Libi – diçka që burime libiane e mohuan si “jo në tryezë.”
Megjithatë, shqetësimet në Kajro janë se presioni i Trump mund të ndryshojë qëndrimin e Libisë, ndaj Egjipti ka intensifikuar komunikimin direkt me Tripolin.
Në konferencën për shtyp, Netanyahu premtoi të mposhtë Hamasin me “metoda të sofistikuara që do t’i befasojnë ata.”
Pas kësaj, ai bisedoi me presidentin Trump për planet e Izraelit për të marrë nën kontroll bastionet e mbetura të Hamasit në Gaza, me synim çlirimin e pengjeve dhe shkatërrimin e grupit.
“Kryeministri i falënderoi presidentit Trump për mbështetjen e palëkundur ndaj Izraelit që nga fillimi i luftës,” thuhej në deklaratën e zyrës së tij.
Ndërsa disa pjesëtarë të ekipit negociator izraelit vlerësuan se hendekët me Hamasin janë të kapërcyeshëm, Netanyahu këmbënguli se grupi ka kërkuar “kushte dorëzimi” – përfshirë lirimin e militantëve të njësisë Nukhba, garanci ndërkombëtare kundër rinisjes së luftimeve dhe tërheqjen nga korridori i Filadelfisë, kërkesa që, sipas tij, asnjë qeveri nuk do t’i pranonte.
Ai tha se “nuk kishte asnjë shans për një marrëveshje”, ndërsa disa ndërmjetës akuzuan Izraelin për prishjen e parakohshme të procesit.