Vendosni fjalën kyçe....

Meta dënon ndërprerjen e sinjalit të News 24: Akt kriminal ndaj fjalës së lirë


Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar ashpër ndaj ndërprerjes së sinjalit të televizionit “News 24” dhe rrethimit të këtij institucioni mediatik nga forcat e sigurisë.

Ai e ka cilësuar këtë veprim si një “akt kriminal” dhe një sulm të rrezikshëm nga regjimi “Ramaduros”, që sipas tij është armik i lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor të shqiptarëve.

Meta  shprehu solidaritetin e poltë me gazetarët, të cilët sipas tij sot janë më të rrezikuar se kurrë për vendet e tyre të punës dhe për lirinë profesionale.

Postimi:

Akti i sotëm kriminal ndaj fjalës së lirë dhe ndërprerja e dhunshme e sinjalit të televizionit “News 24” është një tjetër veprim tepër i rrezikshëm i regjimit represiv të “Ramaduros”, armik i egër i lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor të shqiptarëve.

Duke dënuar me vendosmëri këtë akt terrori të paralajmëruar ndaj medias së pavarur shpreh solidaritetin tim të plotë dhe të vendosur me gazetarët, të cilët sot janë të rrezikuar më shumë se kurrë për vendin e tyre të punës dhe për lirinë profesionale të ushtrimit me ndershmëri të misionit të tyre për informim të vërtetë dhe të paanshëm.

U bëj thirrje organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare të mbrojtjes së lirisë së shprehjes të reagojnë fuqimisht për të dënuar këtë akt shumë të rëndë që na largon gjithmonë e më shumë nga Europa për ta kthyer vendin dekada pas në kohërat e errëta të diktatures totalitare dhe të izolimit të eger nga bota e qytetëruar.