Vendosni fjalën kyçe....

Jumilla bëhet qyteti i parë në Spanjë që ndalon festimet myslimane në hapësira publike


Autoritetet vendore në Jumilla, në juglindje të Spanjës, kanë ndaluar përdorimin e ambienteve publike si qendrat komunitare dhe palestrat për festimet myslimane të Bajramit të Madh (Eid al-Fitr) dhe Kurban Bajramit (Eid al-Adha), në një vendim që konsiderohet i pari i këtij lloji në Spanjë.

Vendimi u propozua nga Partia Popullore (PP) dhe u miratua me abstenimin e partisë së ekstremit të djathtë Vox dhe kundërshtimin e partive të majta lokale. Propozimi përcakton se “pajisjet sportive komunale nuk mund të përdoren për aktivitete fetare, kulturore apo sociale që janë të huaja për identitetin tonë, përveç nëse organizohen nga vetë autoriteti lokal”, përcjell Guardian.

Partia Vox në Jumilla reagoi në rrjetin X, duke shkruar: “Faleminderit Vox, masa e parë për të ndaluar festimet islame në hapësirat publike në Spanjë u miratua. Spanja është dhe do të jetë përherë toka e të krishterëve.”

Mounir Benjelloun Andaloussi Azhari, president i Federatës Spanjolle të Organizatave Islame, e cilësoi vendimin si “islamofob dhe diskriminues”, duke shtuar: “Ata nuk po shënjestrojnë fe të tjera, por vetëm tonën. Për herë të parë në 30 vjet, ndjej frikë në Spanjë.”

Jumilla ka një popullsi rreth 27,000 banorë, nga të cilët 7.5% vijnë nga vende me shumicë myslimane.

Vendimi pritet të sfidohet ligjërisht, pasi bie ndesh me nenin 16 të Kushtetutës Spanjolle, i cili garanton lirinë e ideologjisë, fesë dhe besimit, pa kufizime përveç atyre që kërkohen për ruajtjen e rendit publik.

Reagimet politike kanë qenë të forta. Francisco Lucas, udhëheqës socialist në rajonin e Murcias, shkroi në X: “PP po shkel kushtetutën dhe po rrezikon kohezionin social vetëm për pushtet.” Ndërkohë, ish-kryetarja socialiste e bashkisë, Juana Guardiola, komentoi: “Çfarë kuptojnë me ‘identitet’? Po trashëgimia shekullore myslimane e zonës?”

Jumilla ka një histori të gjatë islame, pasi pas pushtimit arab të shekullit të tetë, qyteti mbeti nën ndikim arab për shekuj me radhë, derisa u pushtua nga trupat e mbretit Alfonso X të Kastiljes në shekullin XIII.