
Gazment Bardhi ka publikuar një tjetër video denoncuese nga zgjedhjet e 11 majit, ku sipas tij dëshmohet sesi vëzhguesit e Partisë Socialiste dhe komisionerët ushtronin kontroll të paligjshëm mbi procesin e votimit në qarkun Fier.
Në pamjet e publikuara, të cilat sipas Bardhit janë marrë nga kamerat zyrtare të një qendre votimi në njësinë administrative Dushk, Bashkia Lushnje, shihet sesi votuesit shoqërohen nga përfaqësues të PS gjatë hedhjes së votës, ndërsa në raste të tjera, sipas tij, votat nxirreshin nga kutia për të verifikuar mënyrën e votimit.
“Kontrolli i çdo vote nga komisionerët dhe vëzhguesit e PS ishte mekanizmi kriminal që Belinda Balluku përdori në qarkun Fier për të mbajtur nën presion çdo votues,” shkruan Bardhi.
Ai e cilëson këtë si “krim të rëndë zgjedhor që mbetet i pandëshkuar, pasi KQZ, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK nuk e kanë bërë detyrën.”
Sipas tij, zgjedhjet e fundit nuk i kanë përmbushur standardet e nevojshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke penguar përparimin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Postimi:
Episodi 2/ VOTIM I KONTROLLUAR = FARSË ELEKTORALE
Kontrolli i çdo vote të qytetarëve nga komisionerët dhe vëzhguesit e PS ishte mekanizmi kriminal që Belinda Balluku përdori në qarkun Fier për të mbajtur nën presion çdo votues. Nëse ndonjë votues votonte vetëm, i pa shoqëruar, nxirreshin votat nga kutia për të verifikuar mënyrën sesi kanë votuar qytetarët, siç tregojnë edhe këto pamje zyrtare të kamerave të QV-së.
Ky është një krim zgjedhor i rëndë por që mbetet i pandëshkuar, sepse KQZ, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK, kishin për qëllim përmes Task-Forcës të bënin shoë dhe jo punën e tyre.
Shqipëria nuk mund të bëjë përpara në procesin e integrimit europian nëse nuk garanton zgjedhje të lira, të drejta dhe të barabarta. Zgjedhjet e 11 Majit nuk përmbushnin asnjë nga këto standarde.
QV 2817, Njësia Administrative Dushk, Bashkia Lushnje