Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e Gentjan Bejtjas/ Policia për arrestimin e Flodian Plakut: Kishte armë zjarri me fishek në fole


Policia e Shtetit njoftoi sot detaje të reja nga operacioni i arrestimit të Flodian Plakut, i cili u kap ditën e djeshme nga Forcat Operacionale të Vlorës, pasi ishte në kërkim prej kohësh si i dyshuar për vrasjen e Gentjan Bejtjas më 15 mars 2024 në Larushk të Fushë Krujës.

Gjatë një konference për shtyp, policia bëri me dije se gjatë arrestimit të Plakut, në operacionin e koduar “Eterna”, u sekuestruan 17 fishekë, 7 telefona celularë, 25 mijë euro në para cash dhe 2 armë zjarri. Njëra nga armët u gjet e ngarkuar me fishek në fole.

Po ashtu, janë arrestuar edhe 3 persona të identifikuar Albano Lapshi, Armand Dano dhe Ligor Doko, pasi kanë ndihmuar në strehimin, komunikimin dhe lëvizjen e Flodian Plakut gjatë kohës që ishte në kërkim. Ata u arrestuan ne flagrancë për veprën  penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Flodian Plaku, i cili arrestua ditën e djeshme në Orikum pasi ishte shpallur në kërkim për vrasjen Gentjan Bejtjas në Larushk të Fushë Krujës, ka qenë nën vëzhgim për rreth dy muaj nga policia.

Njoftimi:

DVP Vlorë

Ja pamjet e operacionit policor të koduar “ETERNA”, të finalizuar me sukses nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Gjatë operacionit u kap shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për vrasje me paramendim, Flodian Plaku, i cili në momentin e ndalimit ishte i armatosur me armë zjarri, me fishek në fole, gati për qitje.

Po gjatë operacionit, u arrestuan edhe 4 shtetas të tjerë që e ndihmonin dhe e strehonin.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:

– 2 armë zjarri pistoletë,

– municion luftarak,

– 25 000 euro cash,

– 7 celularë.

Pamjet e operacionit tregojnë profesionalizmin dhe përkushtimin e strukturave të Policisë së Shtetit për goditjen e krimeve të rënda dhe garantimin e sigurisë publike.