
Drejtori ekzekutiv i Teslës, Elon Musk, tha se kishte nënshkruar një marrëveshje prej 16.5 miliardë dollarësh për të furnizuar çipa nga Samsung, një veprim që pritet të forcojë biznesin gjigantit të teknologjisë së Koresë së Jugut, i cili po rezulton me humbje.
Aksionet e Samsung u rritën me 6.8% në nivelin më të lartë që nga shtatori i vitit të kaluar pas lajmit për marrëveshjen. Aksionet e Teslës u rritën me 1.9% në tregtimin para-tregut në SHBA, shkruan CNN.
Musk tha se fabrika e re e çipave e Samsung në Taylor, Teksas, do prodhojë çipin AI6 të brezit të ardhshëm të Teslës, duke rigjallëruar potencialisht projektin që është përballur me vonesa të gjata për shkak të vështirësive të Samsung në mbajtjen dhe tërheqjen e klientëve të mëdhenj.
“Samsung pranoi të lejojë Teslën të ndihmojë në maksimizimin e efikasitetit të prodhimit. Kjo është një pikë kritike, pasi unë do merrem personalisht për të përshpejtuar ritmin e ecurisë. Dhe fabrika është e vendosur në mënyrë të përshtatshme jo shumë larg shtëpisë sime”, tha Musk në një postim në X të hënën.
Në tetor, Reuters raportoi se Samsung kishte shtyrë marrjen e dërgesave të pajisjeve të prodhimit të çipave ASML për fabrikën e saj në Teksas, pasi ende nuk kishte fituar ndonjë klient të madh për projektin. Tashmë e ka shtyrë fillimin e funksionimit të uzinës në vitin 2026.
Ndërsa nuk u dha asnjë afat kohor për prodhimin e çipave AI6, Musk ka thënë më parë se çipat AI5 të brezit të ardhshëm do prodhohen në fund të vitit 2026.