
Një rrjet i sofistikuar kriminal, i përbërë nga 16 shtetas shqiptarë të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës, është goditur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese të huaja.
Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar mbi 6 ton kokainë, e fshehur në kuti me banane dhe thasë kakaoje, me një vlerë tregu prej rreth 411 milionë euro.
Prokuroria e Posaçme ka identifikuar 16 anëtarë të kësaj organizate kriminale, të cilët vepronin në mënyrë të organizuar dhe të mirëstrukturuar në disa shtete të Bashkimit Evropian, në Britani të Madhe dhe në Dubai.
Gjykata e Posaçme ka nxjerrë 7 urdhër-arreste, nga të cilët 6 janë ekzekutuar më 25 korrik, ndërsa 1 person është shpallur në kërkim ndërkombëtar, me dyshimin se fshihet në Dubai.
Në këtë fazë të hetimeve, ndër të ndaluarit përmenden emra të njohur nga drejtësia shqiptare, përfshirë Plarent Dervishajn dhe Erjon Alibejn, të cilëve u janë caktuar masa sigurie. Të arrestuarit pritet të përballen me akuzat për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal.
SPAK thekson se hetimet vijojnë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për zbardhjen e plotë të aktivitetit të kësaj organizate kriminale dhe për ndjekjen penale të të gjithë personave të përfshirë.