
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë pranë përfundimit të një marrëveshjeje të re tregtare që do të vendosë tarifa 15% për shumicën e produkteve që BE eksporton drejt SHBA-së, përcjell Guardian.
Marrëveshja, që pason një model të ngjashëm me atë të arritur së fundmi mes SHBA-së dhe Japonisë, do të përjashtojë disa mallra të ndjeshme si avionët dhe pajisjet mjekësore, por do të prekë rëndë industri të tjera, përfshirë atë gjermane të automobilave.
Sipas burimeve diplomatike, Komisioni Evropian informoi vendet anëtare për zhvillimet më të fundit të mërkurën, ndërsa janë duke u shqyrtuar edhe lëshime shtesë nga BE-ja, siç është ulja e tarifave mesatare nga 4.8% në 0% për disa mallra specifike.
Kjo ofertë synon të sigurojë një marrëveshje “në parim” dhe të shmangë vendosjen e tarifave më të rënda që presidenti Donald Trump ka paralajmëruar.
Në rast se marrëveshja dështon, BE-ja ka paralajmëruar kundërmasa të forta. Në draftin e përgatitur, planifikohet vendosja e tarifave deri në 100 miliardë euro ndaj produkteve amerikane, që përfshijnë verërat, bourbonin, avionët Boeing dhe automjetet. Tarifat do të shkojnë deri në 30%, në përputhje me paralajmërimet e Trump dhjetë ditë më parë. Këto masa pritet të votohen në ditët në vijim dhe mund të hyjnë në fuqi që më 7 gusht.
Gjithashtu, diplomatët e BE-së po shqyrtojnë përdorimin e “instrumentit të anti-shtrëngimit” (ACI) – një ligj i ri që do të lejonte bllokun jo vetëm të vendosë tarifa, por edhe të ndalojë shërbimet amerikane, duke goditur veçanërisht industrinë teknologjike. Megjithatë, vetëm Franca ka kërkuar zbatimin e menjëhershëm të këtij instrumenti, duke theksuar nevojën për një qëndrim të fortë.
Kritikë nga brenda BE-së theksojnë se unioni ka vepruar me vonesë dhe nuk ka përdorur fuqinë që ka në tavolinën e negociatave. Sipas Tobias Gehrke nga ECFR, BE-ja “e ka humbur momentin për të treguar forcë” pas paralajmërimeve të Trump.
Këto zhvillime ndodhin përpara një samiti të rëndësishëm BE-Kinë, që do të mbahet të enjten në Bruksel, ku pritet të diskutohet edhe për sfidat globale tregtare.