
Një gjykatëse në Florida ka refuzuar kërkesën e administratës Trump për të zbardhur transkriptet e mbledhjes së gjykatës së madhe (grand jury) në hetimin ndaj financierit të njohur, Jeffrey Epstein, përcjell BBC.
Gjykatësja Robin Rosenberg vendosi se kjo kërkesë, e bërë javën e kaluar nga Departamenti i Drejtësisë, do të shkelte ligjin shtetëror. Ajo theksoi se “duart e gjykatës janë të lidhura” për shkak të kufizimeve ligjore.
Transkriptet në fjalë lidhen me hetimin që u zhvillua në Florida në vitin 2006 dhe që çoi në ngarkimin e Epstein për “shfrytëzim të një të mituri për prostitucion”.
Pas presioneve të vazhdueshme nga disa prej mbështetësve më të ngushtë të tij për më shumë transparencë dhe zbardhje të materialeve, Presidenti Donald Trump kishte urdhëruar Prokuroren e Përgjithshme, Pam Bondi, që të kërkonte lirimin e të gjitha dëshmive dhe dokumenteve të mbledhjes së gjykatës së madhe.