Vendosni fjalën kyçe....

22 vatra zjarri aktive, situata më e rënduar në Lurë dhe Dukat


Shqipëria po përballet me një situatë të rënduar nga zjarret, të cilat kanë përfshirë një sërë zonash në të gjithë vendin. Sipas Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, deri në orën 18:00 të ditës së sotme janë regjistruar 22 vatra zjarri. Nga këto, 11 janë shuar, ndërsa 11 të tjera mbeten ende aktive.

Në bashkitë Korçë, Vlorë, Himarë, Kavajë, Shijak dhe Kamëz është bërë e mundur ndërhyrja e suksesshme për shuarjen e flakëve, falë reagimit të menjëhershëm të forcave operacionale. Megjithatë, përballja me vatrat aktive mbetet sfiduese për shkak të terrenit të thyer dhe erërave të forta, që e përhapin zjarrin me shpejtësi.

Situata më kritike paraqitet në Parkun Kombëtar të Lurës në Dibër, ku që prej datës 7 korrik flakët janë përhapur në dy fronte. Në këtë zonë janë angazhuar mbi 60 forca të Forcave të Armatosura dhe autoritete vendore, por përballja me zjarrin vijon të jetë e vështirë.

Vatra të tjera problematike raportohen edhe në Mat, Bulqizë, Maqellarë, Elbasan, Vlorë, Fier, Lezhë, Durrës dhe Shijak. Në Dukat, zjarri mbi fshatin Sotiran ka përfshirë edhe sipërfaqe me pisha, ndërsa më shumë se 25 efektivë po punojnë në terren për ta frenuar. Në Mallakastër, një vatër e fuqishme në zonën e Belishovës po digjet prej orësh, me qindra forca zjarrfikëse dhe helikopterë ushtarakë të angazhuar në operacion.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë menjëherë çdo rast zjarri. Monitorimi dhe ndërhyrjet do të vijojnë pandërprerë deri në neutralizimin e plotë të të gjitha vatrave.