
Gjykata e Lartë e Brazilit ka lëshuar urdhra kontrolli dhe masa kufizuese ndaj ish-presidentit Jair Bolsonaro, duke i ndaluar atij kontaktet me zyrtarë të huaj, rrjetet sociale dhe hyrjen në ambasada, për shkak të dyshimeve se ka kërkuar ndërhyrjen e presidentit amerikan Donald Trump në sistemin brazilian të drejtësisë, përcjell Reuters.
Policia federale zhvilloi një kontroll në banesën e Bolsonaro-s të premten, ndërsa gjykata e urdhëroi të mbajë një byzylyk elektronik monitorimi. Këto masa shtojnë më tej presionin ligjor ndaj ish-presidentit, i cili aktualisht përballet me akuza për tentativë për grusht shteti në përpjekje për të mos lejuar presidentin Luiz Inácio Lula da Silva të merrte detyrën në janar 2023.
Sipas vendimit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Alexandre de Moraes, ekziston një “mundësi konkrete” që Bolsonaro të arratiset nga vendi, pasi ai kishte kërkuar ndërhyrje nga një “kryetar shteti i një vendi të huaj” për të ndikuar në sistemin brazilian të drejtësisë – një akt që gjykata e konsideron si sulm ndaj sovranitetit kombëtar.
Në të njëjtën kohë, Trump ka shprehur mbështetje për Bolsonaro-n, duke e cilësuar procesin gjyqësor si një “gjueti shtrigash” dhe duke paralajmëruar vendosjen e një tarife prej 50% për mallrat braziliane nga 1 gushti. Në një letër drejtuar personalisht Bolsonaro-s, e shpërndarë në rrjetin e tij “Truth Social”, Trump shkruante: “Kam parë trajtimin e tmerrshëm që po merr nga një sistem i padrejtë. Ky gjyq duhet të përfundojë menjëherë!”
Gjyqtari Moraes ka deklaruar gjithashtu se tarifat e propozuara nga Trump përbëjnë një përpjekje për të shkaktuar një krizë të rëndë ekonomike në Brazil dhe për të ndikuar në pavarësinë e gjyqësorit.
Gjithashtu, Bolsonaro është ndaluar të komunikojë edhe me aleatë të ngushtë, përfshirë djalin e tij Eduardo Bolsonaro, deputet në Kongresin brazilian, i cili ka lobuar në SHBA në mbështetje të të atit.
Vendimi i gjyqtarit Moraes thotë se veprimet e ish-presidentit dhe të djalit të tij përbëjnë akte armiqësore dhe të paligjshme për të penguar drejtësinë dhe për të ushtruar presion mbi gjykatën.
Vendimi pritet të shqyrtohet nga një trupë prej pesë gjyqtarësh të Gjykatës së Lartë, të cilët do të vendosin nëse do ta miratojnë apo rrëzojnë atë.