Vendosni fjalën kyçe....

Vijon aksioni i IKMT në Theth për të gjashtën ditë


Që prej orëve të para të mëngjesit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) po vijon një aksion masiv shembjesh në zonën e Thethit, ku janë shkatërruar deri tani rreth 60 objekte pa leje. Operacioni pritet të përfundojë në mbrëmje, ndërsa autoritetet kanë krijuar një kordoni sigurie për të shmangur përplasjet fizike.

Në vendngjarje kanë mbërritur edhe përfaqësues të Partisë Demokratike, që kanë mbështetur banorët dhe kanë pasur konfrontime verbale me policinë.

I pranishëm ishte edhe Bardh Spahia, ish-kryebashkiaku demokrat i Shkodrës, i cili cilësoi aksionin “terror shtetëror”ndaj banorëve:

“Është hera e parë që Thethi dhe Dukagjini përballen me këtë lloj dhune shtetërore, të paprecedentë… Pas premtimeve për legalizim, sot shkatërrohen investimet dhe kursimet e një jete të tërë.”

Ditën e djeshme, tensionet intensifikuan kur banorë kundërshtuan me molotov mjetet e IKMT-së. Policia raportoi se një prej tyre tentoi të digjte urën e fshatit Gjelaj për të penguar kalimin e fadromës; nuk pati të lënduar, por ura pësoi dëmtime materiale.

Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditura afate të reja për ndërtimet e ardhshme, ndërsa banorët kërkojnë garanci për legalizimin e pronave të tyre. Aksioni i IKMT-së dhe reagimet e opozitës pritet të jenë në qendër të vëmendjes së opinionit publik në ditët në vijim.