
Është zhvilluar sot faza e dytë e procesit të përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), e cila përfshiu testin fizik të kandidatëve që kanë kaluar fazën e parë të përzgjedhjes.
Përmes një njoftimi zyrtar, SPAK bëri të ditur se testi fizik u mbajt në ambientet e Njësisë Speciale RENEA në Yzberisht, Tiranë, duke filluar që në orën 07:00 të mëngjesit.
Shtatë kandidatët e përzgjedhur kishin marrë më herët udhëzimet e nevojshme për mënyrën e zhvillimit të testit.
Testi fizik synoi të vlerësonte forcën dhe rezistencën fizike të kandidatëve, përmes katër komponentëve kryesorë:
Numri maksimal i palosjeve (brenda një minute);
Sprinti 300 metra, i matur me kohë;
Numri maksimal i pompave (pa kufizim kohor);
Vrapi 2.4 kilometra, i matur me kohë.
Testimi u ndoq nga një ekip mjekësor për të siguruar mirëvajtjen e procesit dhe shëndetin e kandidatëve, ndërkohë që në ambient ishin të pranishëm edhe përfaqësues ndërkombëtarë për të garantuar transparencën dhe standardet e larta të përzgjedhjes.
Pas kësaj faze, procesi do të vijojë me fazën e tretë, e cila përfshin zhvillimin e një eseje me shkrim dhe testimin e aftësive të arsyetimit logjik.
Njoftimi i SPAK
Në përputhje me nenin 38, pika 2, shkronja ‘d’, të ligjit 95/2016, sot u zhvillua faza e dytë e përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), përkatësisht Testi i Aftësisë Fizike (TAF). Testimi nisi në orën 07:00 në ambientet e Njësisë Speciale RENEA në Yzberisht, Tiranë.
Shtatë kandidatët pjesëmarrës ishin njoftuar më herët për modalitetet e zhvillimit të testit dhe përfunduan të gjithë komponentët përbërës të tij.
Testi synonte vlerësimin e forcës fizike dhe rezistencës:
- Numrin maksimal të palosjeve (në një minutë);
- Sprintin 300 metra, (i matur me kohë)
- Numrin maksimal të pompave (pa kufizim kohor)
- Vrapin 2.4 km, (i matur me kohë).
Zhvillimi i testit u monitorua nga një ekip mjekësor për të vëzhguar mbarëvajtjen e tij.
Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, për të garantuar transparencën dhe ruajtjen e standardeve të procesit.
Pas përfundimit të kësaj faze, do të vijohet me fazën e tretë, e cila konsiston në zhvillimin e një eseje me shkrim dhe testit të arsyetimit logjik.