
Burime të afërta me negociatat kanë bërë të ditur për The Jerusalem Post se Hamas pritet të japë një përgjigje zyrtare brenda orëve të ardhshme për propozimin e armëpushimit 60-ditor, duke theksuar se ekziston një optimizëm i shtuar që përgjigjja do të jetë pozitive.
Propozimi, i paraqitur nga Katari dhe i bazuar në kornizën e ndërmjetësit amerikan Steve Witkoff, parashikon lirimin e 10 pengjeve të gjalla dhe kthimin e 18 trupave gjatë një armëpushimi dy mujor. Gjatë kësaj periudhe, palët do të zhvillojnë bisedime për një marrëveshje të mundshme për përfundimin e luftës.
Të enjten, drejtues të lartë të Hamasit u mblodhën në Turqi për të diskutuar rreth kornizës së propozuar.
Sipas planit, tetë pengje do të liroheshin ditën e parë, ndërsa dy të tjerët në ditën e 50-të. Trupat e viktimave do të dorëzoheshin në tre faza gjatë periudhës së armëpushimit.
Në këmbim të lirimit të pengjeve, Izraeli do të lirojë 125 të burgosur palestinezë dhe 1,111 gazanë që janë arrestuar pas ngjarjeve të 7 tetorit.
Një zyrtar izraelit tha për Walla se: “Nëse Hamas jep një përgjigje pozitive ndaj propozimit, atëherë do të hyjmë në bisedime të vështira për çështjet kryesore dhe numrin e të burgosurve që do të lirohen. Do të jetë e vështirë dhe me shumë sfida.”
Burime për Asharq al-Awsat thonë se marrëveshja aktualisht nuk përcakton një datë të qartë për përfundimin përfundimtar të luftës, çka mund të sinjalizojë ose hezitim nga ana e Hamasit për të përmbyllur një marrëveshje përfundimtare, ose një gatishmëri për të pranuar formulime më të paqarta sesa më parë.