
Partia Demokratike ka reaguar sërish lidhur me çështjen e ashtuquajtur të “trenin bullgar” në Peqin, duke akuzuar Policinë e Shtetit për një “fushatë hakmarrjeje politike” ndaj efektivëve që referuan rastin në Prokurorinë e Elbasanit.
Në një deklaratë nga selia blu, zëdhënësja për Antikorrupsionin, Genta Vangjeli, denoncoi se janë marrë masa disiplinore ndaj disa zyrtarëve të policisë që, sipas saj, kanë vepruar në përputhje me ligjin duke hetuar denoncimet e PD-së.
Masat e përmendura nga PD:
Procedim disiplinor ndaj shefit të krimit ekonomik në DVP Elbasan, Kliton Zhari
Pezullim nga detyra i nëndrejtorit të Policisë së Qarkut Elbasan, Sadik Kateshi
Transferim dhe procedim disiplinor për shefin e krimeve në Komisariatin e Peqinit, Denis Sinani
PD e konsideron këto masa si “ndëshkim” për zyrtarët që “refuzuan të heshtin” përballë, siç e cilëson ajo, manipulimit të zgjedhjeve të 11 majit.
“Nën urdhrat politikë të Edi Ramës dhe me drejtimin e Ilir Prodës, janë ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj atyre që guxuan të veprojnë sipas ligjit,” – tha Vangjeli.
PD pretendoi më 22 maj se fletët e votimit të gjetura në një lokal në fshatin Pekisht të Peqinit, pronë e kryeplakut Dervish Beqiri, ishin përdorur për manipulim përmes “trenin bullgar”. Por KQZ dhe Policia e Shtetit konkluduan se bëhej fjalë për fletë trajnimi (faksimile), pa vulë dhe pa firmë, të papërdorshme në procesin zgjedhor.
Më 30 maj, Prokuroria e Elbasanit njoftoi se çështja është ende në verifikim, ndërsa KQZ konfirmoi se nuk mungon asnjë fletë zyrtare votimi nga qendra e Peqinit.
PD shpreh gjithashtu shqetësim se “ata që kanë ndihmuar farsën zgjedhore” po shpërblehen me poste, duke përmendur emrin e Krenar Guçes si shembull.
“Këto janë akte arbitrare që do të dokumentohen dhe ndëshkohen sipas ligjit,” – përfundoi deklaratën zëdhënësja Vangjeli.