
Izraeli ka refuzuar një raport të Bashkimit Europian ku ngrihen shqetësime për shkelje të mundshme të detyrimeve të tij ndaj të drejtave të njeriut në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, duke e cilësuar atë si një “dështim moral dhe metodologjik.”
Sipas JP, në një dokument zyrtar që u dërgua zyrtarëve të BE-së përpara takimit të ministrave të Jashtëm të hënën, Ministria e Jashtme izraelite kundërshton përmbajtjen e raportit të shërbimit diplomatik të bllokut europian, duke thënë se ai “nuk merr parasysh sfidat me të cilat përballet Izraeli dhe bazohet në informacione të pasakta.”
“Ministria e Jashtme e Shtetit të Izraelit e hedh poshtë këtë dokument dhe e konsideron atë një dështim të plotë moral dhe metodologjik,” thuhet në notën zyrtare, duke shtuar se raporti duhet të hidhet poshtë në tërësi.
Qëndrimi i BE-së është ashpërsuar muajt e fundit për shkak të numrit të lartë të viktimave civile nga fushata ushtarake e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu kundër Hamasit, pas masakrës së 7 tetorit 2023 ndaj komuniteteve izraelite.