
Në seancën e Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, të mbajtur në Strasburg, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, shprehu shqetësime serioze në lidhje me veprimet, ose mungesën e tyre, të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare në Shqipëri.
Duke iu drejtuar përfaqësueses së Komisionit Evropian, Bardhi vuri në dyshim eficiencën e strukturave të drejtësisë në parandalimin e krimeve zgjedhore.
“Ju folët për task-forcën e ngritur nga SPAK për zgjedhjet, është e vërtetë që u ngrit, por më 20 shkurt 2025, Kryeministri Rama, në një dalje publike, i kërkoi prokurorisë së posaçme të ndalonte menjëherë veprimet në terren,” deklaroi Bardhi.
Ai citoi deklaratën e Kryeministrit, të bërë vetëm pak javë para zgjedhjeve: “Po survejoni partitë politike, të ndalet menjëherë ndjekja e partive dhe aktiviteteve partiake. Nuk mund të cenoni të drejtat e qeverisë dhe t’i bëni trysni administratës publike. Uroj të jetë lajthitje e momentit.”
Sipas Bardhit, pas kësaj deklarate, veprimtaria e SPAK në terren u ndërpre plotësisht: “Që nga 20 shkurti e deri në përfundim të procesit zgjedhor, prokurorët e SPAK nuk u panë më në terren. Nuk pati asnjë rezultat për të parandaluar krimet zgjedhore.”
Kreu i grupit parlamentar opozitar theksoi se vonesat në hetime e zbehin ndikimin real të drejtësisë në zgjedhje: “Nëse rezultatet e këtyre hetimeve i marrim në 2030, nuk ndihmon as në ndikimin dhe as në parandalimin e krimeve zgjedhore.”
Në përfundim të fjalës së tij, Bardhi i drejtoi një pyetje të drejtpërdrejtë Komisionit Evropian: “Na duhen rezultate konkrete, apo na duhet të kemi në letër strategji të bukura që qëllimin mund ta kenë pozitiv, por në realitet nuk sjellin asgjë?”
Deklarata e Bardhit erdhi një ditë pas prezantimit nga Ministri i Jashtëm Taulant Balla i progresit të Shqipërisë në procesin e integrimit, ku ai vlerësoi reformën në drejtësi si një nga shtyllat kryesore të ecurisë drejt BE-së.