
Pesë makina-bombë shpërthyen në gjithë Teheranin pas një vale sulmesh ajrore izraelite që synonin Republikën Islamike, raportoi të dielën agjencia zyrtare e lajmeve IRNA e Iranit.
Autoritetet iraniane thonë se shpërthimet vranë disa shkencëtarë bërthamorë. Pamjet e mediave sociale treguan re kërpudhash që ngriheshin mbi kryeqytet.
Mes shpërthimeve dhe sulmeve ajrore të vijueshme izraelite, shumë banorë u filmuan duke ikur nga qyteti, me kreun e policisë rrugore të Iranit që vuri në dukje një rritje të ndjeshme të daljeve të automjeteve nga Teherani.
Burime izraelite thanë se në hakmarrje për sulmet iraniane me raketa balistike që vranë 10 persona dhe plagosën qindra të tjerë në Bat Yam dhe Tamra, “ndërtesa po shemben në Teheran”. Një anëtar i lartë i kabinetit paralajmëroi se Irani “do shtojë sulmet kundër civilëve në Izrael, duke besuar se fronti i brendshëm është i dobët dhe se kjo do na shkatërrojë. Por ata gabohen rëndë. Ne do t’i mposhtim ata”.
Zyrtari shtoi se, megjithëse sulmet në frontin e brendshëm të Izraelit “janë shumë serioze, ato zbehen në krahasim me kërcënimin bërthamor të Iranit. Ne jemi të përgatitur mirë. Për një vit, kabineti qeveritar e ka planifikuar këtë. Ne kemi mbajtur takime të pafundme dhe i kemi mashtruar me sukses të gjithë duke i bërë të mendojnë se po diskutonim vetëm për pengjet, kur në realitet po adresonim edhe kërcënimin iranian”.
I pyetur pse kryeministri Benjamin Netanyahu urdhëroi sulmet në Iran pas gati dy dekadash frenim, zyrtari ia atribuoi vendimin ndikimit të të ashtuquajturit “Kabinet Lufte”, që përfshin ministrin e Mbrojtjes Israel Katz, ministrin e Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir dhe ministrin e Financave Bezalel Smotrich.
“Irani po përpiqet të prodhojë armë bërthamore që do i bënin bombat e hedhura në Nagasaki dhe Hiroshima të duken të vogla. Ne nuk mund të qëndronim pasivë. Kjo është vërtet një luftë ekzistenciale”, tha ai.

Duke i dërguar një mesazh Teheranit, zyrtari deklaroi: “Kemi shumë surpriza të tjera. Ka një vendosmëri të madhe në Izrael. Nuk ka ndonjë presion të vërtetë mbi Izraelin për të ndaluar. Ata duan që ne ta përfundojmë këtë. Prapa skenave, ka fillime të përpjekjeve të ndërmjetësimit, por ende nuk ka një propozim konkret për një armëpushim.”
Më parë, Katz deklaroi se “Teherani do trajtohet si Bejruti”. Menjëherë pas deklaratës së tij, IDF goditi dhjetëra objektiva në kryeqytetin iranian, me tym të dukshëm në gjithë qytetin. Midis objektivave ishin sistemet e mbrojtjes ajrore, ndërtesat e lidhura me Trupat e Gardës Revolucionare Islamike dhe depot e armëve, veçanërisht vendet e raketave balistike.
Në një raport të veçantë, Agjencia e Lajmeve Fars e Iranit tha se një dron izraelit goditi selinë e policisë së Teheranit, duke plagosur disa oficerë. Ndërkohë, rrjeti Al Mayadeen i Libanit raportoi shpërthime në qytetet Tabriz dhe Kermanshah.
Të shtunën në mbrëmje, ndërsa një breshëri e madhe raketash balistike shënjestroi Izraelin verior, avionët luftarakë izraelitë kryen valën më të madhe të sulmeve ajrore në Teheran që nga fillimi i fushatës, duke goditur dhjetëra objektiva në më pak se një orë. Ndër vendet e sulmuara ishin një terminal i madh karburanti dhe objekte për ruajtjen e armëve. Zyrtarët iranianë thuhet se u vunë në shënjestër gjithashtu, dhe disa besohet se janë eliminuar. Ministria e Naftës e Iranit konfirmoi se dy objekte karburanti në Teheran ishin goditur. Ministri i Shëndetësisë i vendit pretendoi se shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë.

IDF njoftoi të dielën në mëngjes se Forcat Ajrore Izraelite kishin sulmuar gjatë gjithë natës, duke shkatërruar raketahedhës tokë-tokë të armatosur që ishin gati për të qëlluar. Lëshuesit që kishin qëlluar tashmë raketa drejt Izraelit u lokalizuan dhe u goditën shpejt. Ushtria goditi gjithashtu infrastrukturën e raketave tokë-ajër dhe instalimet e radarëve të operuara nga regjimi iranian, pjesë e përpjekjeve të Izraelit për të ruajtur epërsinë ajrore mbi hapësirën ajrore iraniane.
Mediat iraniane raportuan të dielën për shpërthime në Kermanshah në perëndim dhe në Isfahan. Një zyrtar në provincën Isfahan tha se një vend i lidhur me Ministrinë iraniane të Mbrojtjes ishte sulmuar rreth një orë më parë dhe se dëmet po vlerësoheshin. Agjencia e lajmeve Sabereen, e cila është e lidhur me milicitë e mbështetura nga Irani në Irak, raportoi një sulm ndaj një fabrike elektronike në Shiraz dhe një tjetre në Shahroud, në veri të Iranit. Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve ISNA raportoi se selia e Ministrisë së Mbrojtjes në Isfahan ishte dëmtuar gjithashtu.
Mes sulmeve në rritje, zëdhënësi i IDF në gjuhën arabe, Avichay Adraee, lëshoi një paralajmërim të paprecedentë për evakuim për civilët iranianë.
“Ky është një paralajmërim urgjent për të gjithë ata që aktualisht ndodhen ose janë afër vendeve të prodhimit të armëve në Iran, dhe ata që i ndihmojnë ata”, shkroi ai në X, duke iu referuar objekteve të prodhimit të raketave balistike.
“Për sigurinë tuaj, largohuni menjëherë nga këto zona dhe mos u ktheni deri në njoftim të mëtejshëm. Prania juaj aty iu rrezikon jetën.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Ynet
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani