
Një incident i pazakontë ka ndodhur sot në rrugën “Halit Haxhija” në Tiranë, ku një 39-vjeçar, i identifikuar me inicialet P. B., dyshohet se ka kryer manovra të rrezikshme me automjetin e tij, duke dalë nga rruga dhe përplasur pesë këmbësorë që ndodheshin në trotuar.
Pas ngjarjes, drejtuesi i mjetit është larguar duke braktisur automjetin, ndërsa policia e ka shpallur në kërkim. Të dëmtuarit kanë marrë ndihmën mjekësore dhe janë larguar për në banesë, pasi fatmirësisht kanë pësuar vetëm lëndime të lehta.
Autoritetet po punojnë për kapjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.