Vendosni fjalën kyçe....

Katër zyrtarë serbë ndalohen në kufi, një javë pas arrestimit të një ish-polici kosovar



Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka njoftuar se autoritetet kosovare kanë ndaluar të shtunën katër shtetas serbë në pikat kufitare, përfshirë tre pjesëtarë aktivë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB) dhe një oficer të pensionuar. Ndalimet vijnë një javë pas arrestimit nga Serbia të ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu.

Sipas autoriteteve serbe, ndalimet janë kryer pa bazë ligjore dhe përbëjnë një “hakmarrje të nxitur politikisht kundër popullit serb”. Të ndaluarit janë identifikuar me inicialet N.V. (26), M.M. (28), A.M. (36) dhe M.S. (53), ky i fundit në pension. Ata ndodhen aktualisht në paraburgim.

Në të njëjtën ditë, ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se ka revokuar shtetësinë e një shtetasi kosovar nga komuniteti serb, për “cenim të sigurisë kombëtare”. Edhe pse nuk u konfirmua zyrtarisht, besohet se bëhet fjalë për Nikolla Vujoviqin, një nga të ndaluarit.

Zyra serbe deklaroi se të ndaluarit kanë jetuar në mënyrë paqësore në Kosovë dhe kanë ushtruar detyrat në Serbinë qendrore. Ajo paralajmëroi se do të njoftojë për ndalimet përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.

Ndërkohë, Arbnor Spahiu, i arrestuar nga autoritetet serbe më 7 qershor në kufirin me Hungarinë, akuzohet për përfshirje në vrasjen e tre sulmuesve serbë gjatë incidentit të armatosur në Banjskë në shtator 2023. Ai po mbahet në paraburgim në Suboticë, ndërsa mbrojtja ka dorëzuar ankesë ndaj vendimit për ndalimin e tij.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar arrestimin e Spahiut si “sjellje jonormale të Serbisë” dhe ka dënuar ashpër veprimet e fundit të Beogradit.