Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli sulmon centralet bërthamore të Iranit


Izraeli ka nisur atë që autoritetet e tij e quajnë “sulme parandaluese” kundër Iranit, ndërsa në vend është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, njoftoi Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz.

“Pas sulmit parandalues të ndërmarrë nga Shteti i Izraelit ndaj Iranit, pritet një kundërpërgjigje me raketa dhe dronë që do të vënë në shënjestër Shtetin e Izraelit dhe popullsinë e tij civile në një të ardhme të afërt,” deklaroi Katz.

Ndërkohë, media shtetërore iraniane IRNA raportoi se në kryeqytetin Teheran janë dëgjuar disa shpërthime të njëpasnjëshme, ndërsa tensionet mes dy vendeve kanë hyrë në një fazë të re të rrezikshme. Një valë tjetër sulmesh u raportuan sërish më vonë. Sulmet u kryen në 8 qytete. Të paktën pesë persona u vranë dhe 50 të tjerë janë plagosur. Viktimat u raportuan në zonën Narmak të Teheranit.

Gjenerali Hossein Salami, komandanti i përgjithshëm i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, është vrarë si pasojë e një sulmi të kryer nga Izraeli, i cili ka shënjestruar objektiva strategjike brenda territorit iranian. Së bashku me të, ka humbur jetën edhe Gjeneral Major Mohammad Bagheri, i njohur si oficeri më i lartë ushtarak në Iran.

Sulmi, i koduar nga Izraeli si “Operacioni Rising Lion”, është cilësuar si një nga goditjet më të rënda ndaj strukturave ushtarake dhe bërthamore të Iranit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se operacioni ka shkatërruar impiantin kryesor të pasurimit të uraniumit në Natanz, si dhe ka eliminuar shkencëtarë kyç bërthamorë dhe drejtues të programit të raketave balistike të Iranit, që ai e përshkroi si “zemra e ambicieve ushtarake të Teheranit”.

Ky zhvillim shënon një përshkallëzim serioz të tensioneve mes Izraelit dhe Iranit, me pasoja të mundshme për të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrë pjesë dhe nuk kanë ndihmuar në asnjë mënyrë sulmet e ndërmarra nga Izraeli kundër Iranit.

“Në mbrëmje, Izraeli ndërmori veprime të njëanshme ndaj Iranit. Dua të theksoj se SHBA nuk është e përfshirë në këto sulme, dhe përparësia jonë kryesore është mbrojtja e forcave tona në rajon,” tha Rubio në një deklaratë.

Ai shtoi se Izraeli i kishte njoftuar Uashingtonin për këtë veprim, duke e cilësuar atë të nevojshëm për vetëmbrojtje.

“Presidenti Trump dhe administrata e tij kanë marrë të gjitha masat për të garantuar sigurinë e trupave amerikane dhe vijojnë të qëndrojnë në kontakt të ngushtë me aleatët rajonalë,” u shpreh Rubio.

Në fund, ai lëshoi një paralajmërim të qartë:

“Irani nuk duhet të synojë interesat apo personelin e Shteteve të Bashkuara.”/CNN