Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Apelit Tiranë liron Jeton Dervishin pas ankimimit për tejkalim të afateve të paraburgimit


Gjykata e Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë ka vendosur lirimin nga burgu të Jeton Dervishit, një 38-vjeçar nga Prizreni, i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ai ishte dënuar në Hungari me 2 vite burg për kalim të paligjshëm të emigrantëve dhe kishte një dënim të ngjashëm edhe në Serbi.

Fillimisht, Gjykata e Kukësit kishte vendosur masën e paraburgimit për Dervishin, por ai qëndroi në paraburgim për 11 muaj, tejkalim ky i afateve ligjore të parashikuara për ekstradim. Avokati i tij, Sokol Tahiraj, e ankimoi vendimin, duke argumentuar se ligji parashikon një maksimum prej 3 muajsh paraburgim për raste ekstradimi dhe se mbajtja e tij për një periudhë më të gjatë e bënte të pavlefshme masën e sigurisë.

Në argumentet e mbrojtjes, avokati theksoi se klienti i tij vjen nga një familje e luftës dhe se ekstradimi i tij drejt Serbisë do të përbënte rrezik për sigurinë dhe jetën e tij. Për këtë arsye, Gjykata e Apelit vendosi lirimin e tij, duke rrëzuar vendimin e shkallës së parë që kishte miratuar ekstradimin.