Vendosni fjalën kyçe....

Trump: Pas telefonatës me Xi, SHBA dhe Kina do të rinisin bisedimet tregtare


Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se një bisedë telefonike me presidentin kinez Xi Jinping përfundoi me një “konkluzion shumë pozitiv” dhe se të dy vendet do të rinisin bisedimet tregtare në përpjekje për të zgjidhur ngërçin mbi tarifat dhe furnizimet globale të mineraleve të rralla.

Kjo ishte telefonata e parë mes dy liderëve që nga fillimi i mandatit të dytë të Trump më shumë se katër muaj më parë.

Ekipet tona përkatëse do të takohen së shpejti në një vend që do të përcaktohet,” shkroi Trump në platformën e tij të rrjeteve sociale, përcjell AP.

Shtetet e Bashkuara do të përfaqësohen në negociata nga Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, dhe Përfaqësuesi Amerikan për Tregtinë, Jamieson Greer.

Trump gjithashtu bëri të ditur se Xi “me shumë mirësjellje” e kishte ftuar atë dhe Zonjën e Parë Melania Trump për një vizitë në Kinë, ndërsa edhe ai vetë i bëri ftesë homologut kinez për të vizituar Shtetet e Bashkuara.

Ministria e Jashtme e Kinës konfirmoi se ishte Trump që kishte iniciuar telefonatën mes liderëve të dy ekonomive më të mëdha në botë.

Sipas agjencisë shtetërore kineze të lajmeve Xinhua, presidenti Xi i kërkoi Trump të “zhbëjë masat negative” që SHBA kishte ndërmarrë kundër Kinës.

Po ashtu, Xinhua raportoi se Trump kishte thënë se studentët kinezë janë të mirëpritur për të studiuar në SHBA – edhe pse administrata e tij ka premtuar se do të revokojë disa nga vizat e tyre.

Në një krahasim simbolik, Xi tha se marrëdhënia dypalëshe është si një anije e madhe që kërkon drejtim të kujdesshëm, duke i kërkuar Trump-it që të “eliminojnë çdo ndërhyrje apo sabotim”.

Kjo deklaratë vjen vetëm një ditë pasi Trump kishte thënë publikisht se ishte e vështirë të arrihej një marrëveshje me Xi.

Bisedimet tregtare pritet të ndikojnë thellë në tregjet globale, veçanërisht në sektorët e teknologjisë dhe burimeve natyrore, ndërsa përballja SHBA-Kinë për mbizotërimin ekonomik mbetet një nga sfidat më të mëdha të dekadës.